Polonia thotë se ka gjetur pajisje përgjimi në sallën ku do të mbahej një takim i ministrave
Shërbimet speciale polake kanë gjetur dhe çmontuar pajisje përgjimi në një sallë ku do të takohej Këshilli i Ministrave të martën, tha zëdhënësi i bashkërenduesit të shërbimeve speciale.
Polonia, qendër për dërgimin e ndihmave ushtarake perëndimore në Ukrainë, është në gjendje të ngritur të vigjilencës për ndonjë shenjë të aktivitetit spiunues, raporton agjencia “Reuters”.
“Shërbimi për Mbrojtjen e Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri të Brendshme, vërejti dhe çmontoi pajisje që do të mund të përdoreshin për përgjim në dhomën ku do të mbahet takimi i Këshillit të Ministrave sot në Katowice” – shkroi Jacek Dobrzynski në rrjetin X.
“Shërbimet janë duke kryer veprime të mëtejme për këtë çështje” – shtoi ai.
Të hënën, Qeveria tha se ishte duke vërtetuar nëse një gjykatës polak, i cili kishte qasje në të dhëna konfidenciale dhe kishte kërkuar azil politik në Bjellorusi ka qenë duke spiunuar.