Polonia nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, thotë kryeministri polak - NACIONALE

Polonia nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, thotë kryeministri polak

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha të hënën se vendi i tij nuk do të dërgojë trupa në Ukrainën fqinje. Ai e bëri këtë deklaratë para një samite urgjent në Paris ku pritet të diskutohet roli i Evropës në ndonjë armëpushim të mundshëm.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, më herët u bë udhëheqësi i parë evropian që tha se është i gatshëm për të dërguar trupa paqeruajtëse në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Polonia do ta përkrahë Ukrainën siç ka bërë deri më tani: në mënyrë organizative, në përputhje me kapacitetet tona financiare, në aspektin e ndihmës humanitare dhe ushtarake” – tha kryeministri polak para se të hipte në aeroplanin për në Paris.

“Ne nuk planifikojmë që të dërgojmë ushtarë polakë në territorin e Ukrainës. Ne do t’u... japim mbështetje logjistike dhe politike shteteve që me gjasë do të duan të ofrojnë garanci të tilla në të ardhmen, si garanci fizike” – shtoi ai.

Tusku paralajmëroi kundër vënies në pikëpyetje të aleancës së Evropës me Shtetet e Bashkuara, pas një jave kaotike që ka lënë shumë shtete në frikë se nuk mund të llogarisin në përkrahjen nga Uashingtoni dhe se presidenti Donald Trump do të bëjë një marrëveshje për paqen në Ukrainë me homologun rus, Vladimir Putin, e cila do t’i minojë Kievin dhe sigurinë më të gjerë evropiane.

“Polonia... mundet dhe mund të luajë një rol pozitiv. Me këtë dua ta them (sigurimin) e bashkëpunimit më të ngushtë të mundshëm mes Polonisë, Ukrainës, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, vendeve evropiane si Britania e Madhe dhe Norvegjia. Nuk mund të ketë vend për “ose...,ose...” – ose Bashkimi Evropian, ose Shtetet e Bashkuara” – deklaroi kryeministri polak.

Sipas tij, tani nuk është koha që të mendohet për ndërtimin e një alternative ndaj NATO-s dhe tha se shtetet që i ofrojnë garanci të sigurisë Ukrainës duhet të jenë të sigurta se mund t’i përmbushin ato.

“Ne duhet të tregojmë se jemi të aftë për investim shumë më të madh në kapacitetet tona të mbrojtjes. Unë do t’i pyes kryeministrat nëse ata janë të gatshëm që të marrin vendime me të vërtetë” – tha Tusku./Nacionale

Lajme të ngjashme