Policia tajlandeze kap sasi masive të metamfetaminës e droga të tjera, vlera milionëshe - NACIONALE

Policia tajlandeze kap sasi masive të metamfetaminës e droga të tjera, vlera milionëshe

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia tajlandeze ka kapur më shumë se 15 milionë pilula të metamfetaminës dhe substanca të tjera të paligjshme me vlerë të 300 milionë bahtëve (8,15 milionë dollarë) në atë që autoritetet e quajtën njëri prej konfiskimeve më të mëdha të drogës deri më tani këtë vit.

Katër persona janë arrestuar në lidhje me këtë konfiskim, ku përfshihen 420 kilogramë metamfetaminë të kristalizuar si dhe heroinë në një shtëpi në provincën Nakhon Pathom, në veri të kryeqytetit Bankok, raporton agjencia “Reuters”.

“Kjo është njëra nga qendrat më të mëdha të vendosjes së drogës në mes të Tajlandës, në një zonë komuniteti”- tha para gazetarëve ministri i Drejtësisë, Tawee Sodsong.

Komandanti në ardhje i policisë tajlandeze, Torsak Sukvimol, tha se vlera e përgjithshme e drogës së konfiskuar në tregun e rrugës është 300 milionë bahtë ose 8,15 milionë dollarë amerikanë, duke shtuar se droga ishte prodhuar në një shtet fqinj.

Trafikimi i drogave sintetike në Azi Lindore dhe Juglindore ishte duke u shtuar, sipas një raporti të publikuar më herët këtë vit nga Kombet e Bashkuara. Vëllim i madh i metamfetaminës po prodhohet ende nga rajoni i quajtur “Trekëndëshi i Artë”, ku bashkohen kufirit e Mianmarit, Tajlandës dhe Laosit.

Ky rajon ka histori të gjatë të prodhimit ilegal të drogës dhe rishtazi ka shërbyer si qendër e prodhimit masiv për stimuluesit e llojit të amfetaminës, sidomos metamfetaminës, që përdoret nga grupet kriminale aziatike me rrjete të shpërndarjes që arrijnë deri në Japoni e Zelandë të Re.

Lajme të ngjashme