Policia kufitare holandeze sekuestron rreth 1500 dokumente udhëtimi të falsifikuara
Policia kufitare holandeze ka sekuestruar 1,465 dokumente të falsifikuara në vitin 2021, 10% më shumë se në vitin 2020, raporto Xhandarmeria Mbretërore e Holandës.
Shumica e dokumenteve të mbledhura ishin karta identiteti dhe pasaporta. Shumë prej pasaportave ishin pasaporta autentike me informacione të falsifikuara. Shumica e atyre pasaportave ishin greke, rumune, italiane, spanjolle dhe belge.
Shumica e dokumenteve u sekuestruan në aeroporte, me 947 dokumente të identifikuara në Schipol dhe Amsterdam, dhe 99 në aeroportin Eindhoven. Shumica e njerëzve të kapur duke përdorur këto dokumente ishin duke udhëtuar nga Italia, Spanja ose Greqia për në Holandë.
Në kufijtë e përbashkët me Gjermaninë dhe Belgjikën janë kapur 287 dokumente të falsifikuara. Gjithashtu, 20 dokumente u sekuestruan në pikat kufitare detare.
Numrat nuk kanë ndryshuar shumë në krahasim me nivelet para pandemisë, pavarësisht kufizimeve të udhëtimit që qeveritë zbatuan për shkak të COVID-19.
“Ne kishim pritur që totali të zvogëlohej për shkak të ndikimit të koronavirusit në udhëtime, por në fakt, pamë një rritje të konsiderueshme”, ka thënë zëdhënësi, Robert van Kapel, për radion NOS, raporton Dutch News. "Kjo ishte pjesërisht për shkak se rrugët e migracionit u hapën përsëri dhe trafikantët e qenieve njerëzore i dërguan njerëzit me letra të falsifikuara," shtoi ai.