Policia e Singaporit sekuestron para, vetura e shtëpi me vlerë të 735 milionë dollarëve
Policia e Singaporit ka sekuestruar shtëpi luksoze, vetura e para të gatshme – të gjitha në vlerë të rreth 735 milionë dollarëve – në njërin nga hetimet më të mëdha kundër pastrimit të parave.
Në mesin e gjërave të sekuestruara gjatë bastisjeve ka shtëpi luksoze, vetura të shtrenjta, çanta dore të firmave të njohura dhe 17 milionë dollarë në formë të gatshme, raporton televizioni BBC.
Policia ka arrestuar dhjetë persona gjatë operacionit. Të gjithë të arrestuarit kishin pasaporta të huaja.
Bastisjet e këtyre përmasave janë të rralla në Singapor, vend që dallohet për njërën nga shkallët më të ulëta të krimit në botë.
Përmes një deklarate, policia tha se 94 shtëpi, përfshirë disa në zonat më të kërkuara të vendit, si dhe 50 automjete janë sekuestruar.
Dhjetë persona të moshave 31 dhe 44-vjeçare janë arrestuar nën dyshimet për pastrim parash dhe falsifikim. Policia tha se të arrestuarit kishin pasaporta të Kinës, Turqisë, Kamboxhës dhe Vanuatus.
Grupi “dyshohet për përfshirje në pastrim të proceseve të krimit nga aktivitetet e tyre të organizuara kriminale jashtë vendit, përfshirë mashtrimet dhe lojërat e fatit në internet”, sipas policisë.
“Ne kemi zero tolerancë për shfrytëzimin e Singaporit si strehë e sigurt për kriminelët”- tha David Chew, drejtor i Departamentit për Çështje Tregtare në policinë e vendit.
“Porosia jonë për këta kriminelë është e thjeshtë. Nëse ju kapim, do të ju arrestojmë. Nëse i gjejmë fitimet tuaja të siguruara në mënyrë të paligjshme, do t’i sekuestrojmë. Do të merremi me ju deri në shkallën më të plotë të ligjeve tona”- shtoi zyrtari policor.