Përmbledhje e zhvillimeve kryesore të ditës nga lufta Rusi-Ukrainë
Dita e 240-të e luftës Rusi-Ukrainë është shënuar me zhvillime të reja - zhvendosje civilësh, sulme e sanksione ndaj iranianëve për ndihmë ndaj Rusisë.
Në vazhdim, Nacionale sjell shkurtimisht ngjarjet kryesore të ditës nga ky konflikt.
- Zyrtarët e vetë-emëruar të mbështetur nga Moska në rajonin jugor të Khersonit të Ukrainës kanë filluar të zhvendosin civilë në territorin rus, duke përdorur frikë për një kundërofensivë ukrainase. Duke thënë se plani është për të zhvendosur rreth 60,000 njerëz, autoritetet kanë bërë të ditur se deri më tani janë “evakuuar” 15,000 njerëz.
- Njoftimet ruse për kundërofensivë ukrainase në Kherson, zyrtarët ukrainas i kanë përshkruar si "një shfaqje propagandistike" duke kërkuar nga njerëzit që të mos përmbushin kërkesat për evakuim.
- Shtëpia e Bardhë ka thënë këtë pasdite se, trupat iraniane janë të angazhuar drejtpërdrejt në terren në Krime duke mbështetur sulmet ruse me dronë kundër forcave ukrainase.
- Në përgjigje të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike, Ukraina ka nisur kufizimin e furnizimeve me energji elektrike në të gjithë vendin. Presidenti Zelensky ka thënë se sulmet kanë shkatërruarr një të tretën e të gjitha termocentraleve.
- BE dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur sanksione ndaj tre individëve iranianë dhe një biznesi përgjegjës për furnizimin e Rusisë me dronë që janë përdorur për të bombarduar Ukrainën. U bë e ditur se janë ngrirë pasuritë e të sanksionuarve dhe individëve gjithashtu u është ndaluar udhëtimi.
- Një avion rus ka lëshuar një raketë pranë një avioni britanik që patrullonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi më 29 shtator, ka njoftuar sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace. Ai ka bërë të ditur se Rusia ka thënë se incidenti ka ndodhur për shkak të një “mosfunksionimi teknik”.
- Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, po përdorte energjinë dhe urinë si armë, por nuk ka arritur të thyejë unitetin e perëndimit dhe nuk do të arrijë qëllimet e tij të luftës përmes këtyre taktikave.
- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleatët do të veprojnë nëse Suedia e Finlanda bien nën presionin e Rusisë ose ndonjë kundërshtari tjetër para se të bëhen anëtare të plota të aleancës.

