“Përkrahës i Hamasit”: Ministrat izraelitë e vajtojnë zgjedhjen e myslimanit Mamdani kryetar të Nju-Jorkut
Politikanë të koalicionit qeveritar dhe të opozitës në Izrael u bashkuan të mërkurën në dënimin e fitores së kandidatit për kryetar të Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, duke e vënë në pah antipatinë e tij për Izraelin dhe duke e akuzuar se e mbështet Hamasin.
“Zgjedhja e Zohran Mamdanit si kryetar i Nju-Jorkut do të kujtohet gjithmonë si një moment kur antisemitizmi triumfoi mbi logjikën” – deklaroi ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben Gvir, i njohur për bindjet e tij të së djathtës ekstreme. Ai e quajti Hamdanin “përkrahës të Hamasit, urrejtës i Izraelit dhe antisemit i deklaruar” dhe i dënoi “pretendimet [e tij] të rreme se ne ‘po kryejmë gjenocid në Gaza”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Mamdani, mbrojtës për një kohë të gjatë i të drejtave të palestinezëve, e ka akuzuar Izraelin për kryerje të gjenocidit dhe ka thënë se do ta respektonte urdhërarrestin e lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Edhe pse Mamdani ka deklaruar se “nuk do të lëkundet” në luftimin e antisemitizmit si kryetar i qytetit të njohur, garancitë e tij nuk i kanë kënaqur politikanët izraelitë.
Ministri i Trashëgimisë i Izraelit, Amichay Eliyahu, i kritikoi hebrenjtë që e kanë votuar Mamdanin, duke i akuzuar se “i kanë ngritur duart e tyre në mbështetje të antisemitizmit në zemër të Amerikës”.
“Hebrenjtë që i urrejnë hebrenjtë kanë ekzistuar në mesin tonë që nga agimi i historisë sonë” dhe “i shohim ata edhe në Izrael”, deklaroi Eliyahu.
Avigdor Liberman nga partia opozitare Yisrael Beytenu, tha: “Njeriu që e mbështeti Hamasin, e sulmoi Izraelin dhe e fajësoi perëndimin për të gjitha telashet e botës është zgjedhur kryetar i Nju-Jorkut.”
Ministri i Punëve të Diasporës, Amichai Chikli, u bëri thirrje hebrenjve të Nju-Jorkut që të vendosen në Izrael, transmeton gazeta "Nacionale".
“Qyteti që dikur ishte simbol i lirisë globale ia ka dorëzuar çelësat një përkrahësi të Hamasit, dikujt pozicionet e të cilit nuk janë larg atyre të fanatikëve xhihadistë, të cilët, para 25 vjetësh, vranë 3.000 prej njerëzve të tyre” – shkroi Chikli në rrjetin X, duke iu referuar sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në ShBA.
Përderisa disa politikanë u bënë thirrje banorëve hebrenj të Nju-Jorkut që të largohen nga ai vend dhe të shkojnë në Izrael, të tjerët i ofruan mbështetje qytetit me komunitetin më të madh hebraik.