Perëndimi nuk mund ta shkëpusë Rusinë nga pjesa tjetër e botës, thotë Putin - NACIONALE

Perëndimi nuk mund ta shkëpusë Rusinë nga pjesa tjetër e botës, thotë Putin

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Presidenti rus, Vladimir Putin tha të hënën se është e pamundur që Rusia të shkëputet nga pjesa tjetër e botës, duke shtuar se sanksionet perëndimore nuk do ta shtyjnë zhvillimin e Moskës “dekada prapa”.

Kujtojmë se, që kur presidenti rus nisi pushtimin në Ukrainë, vendi është goditur nga sanksione të shumta që kanë synuar oligarkët, institucionet financiare, firmat shtetërore dhe industrinë e energjisë.

Të hënën, duke folur në një video-konferencë me figura të qeverisë, Putini u shpreh se, “jo vetëm kufizimet, por mbyllja pothuajse e plotë e aksesit ndaj produkteve të huaja të teknologjisë së lartë po përdoret qëllimisht kundër vendit tonë."

“Është e qartë se kjo është një sfidë e madhe për vendin tonë, por... ne nuk do të dorëzohemi dhe të qëndrojmë në një gjendje rrëmujë ose, siç parashikojnë disa nga ‘dashamirësit’ tanë, të kthehemi dekada prapa. Sigurisht që jo”, shtoi më tej Putin.

Një pasojë e luftës së vazhdueshme është edhe tërheqja nga vendi ose pezullimi i veprimtarive nga një numër i madh firmash teknologjike.

Kompanitë e mëdha të lojërave si Nintendo, Sony, EA dhe Activision Blizzard janë zotuar se nuk do të shesin asnjë nga përmbajtjet e tyre në vend.

Ndërkohë, edhe gjiganti i internetit Google ka pezulluar të gjitha shërbimet e tij të bazuara në pagesa dhe ka ndaluar mediat ruse si RT dhe Sputnik të shesin reklama.

Operacionet e biznesit në Rusi, kanë ndërprerë edhe firma të tjera të njohura si PayPal, IBM, Cisco, Netflix, Spotify dhe Airbnb. Lidhur me to, Putin tha se Rusia tani do të duhet të zhvillojë firmat e saj vendase të teknologjisë.

Lajme të ngjashme