BBC: Për vrasjen e 8 familjarëve, Britania ia dha një afgani 7 mijë e 200 funte dëmshpërblim - NACIONALE

BBC: Për vrasjen e 8 familjarëve, Britania ia dha një afgani 7 mijë e 200 funte dëmshpërblim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria britanike ka paguar dëmshpërblim për vdekjen e të paktën katër herë më shumë fëmijëve afganë sesa që ka pranuar më parë, raporton televizioni publik britanik, BBC. Dëmshpërblime janë dhënë për 64 fëmijë, edhe pse më parë ishte pranuar publikisht vrasja e 16 fëmijëve.

BBC

Të gjithë këta fëmijë ishin vrarë në luftimet ku ishin të përfshira forcat britanike mes viteve 2006 e 2014. Shifrat e reja vijnë nga kërkesat sipas Katit për Lirinë e Informimit, të bëra nga organizata “Action on Armed Violence”.

Kjo organizatë beson se numri i vdekjeve të regjistruara të civilëve, të shkaktuara nga forcat britanike, ka gjasë që të jetë minimizim.

Nga vdekjet që janë regjistruar, numri i vërtetë i fëmijëve të vrarë mund të jetë deri në 135, sepse disa nga rastet fatale në dokumentet e Ministrisë së Mbrojtjes përshkruhen vetëm si bij e bija. Mosha dhe rrethanat e vdekjes nuk përfshihen gjithmonë në të dhëna.

Organizata AOAV thotë se është e mundshme që disa nga 135 viktimat ishin të rritur, por gjasat që këta persona të kenë qenë nën moshën 18-vjeçare, janë të larta për shkak të moshës mesatare shumë të re në Afganistan.

Shumica e 881 kërkesave për dëmshpërblim për raste fatale, që u janë paraqitur autoriteteve britanike, janë refuzuar dhe vetëm një e katërta e tyre janë pranuar, përcjell Nacionale.

Në mesin e kërkesave të pranuara ishte ajo për vrasjen e tetë anëtarëve të një familjeje afgane, të vrarë gjatë një sulmi ajror të koalicionit perëndimor në një fshat të provincës Helmand në majin e vitit 2009.

Një burrë kishte kërkuar dëmshpërblim për vdekjen e nipit të tij, dy bashkëshorteve të nipit të tij dhe pesë fëmijëve të tyre.

Autoritetet britanike i ishin përgjigjur kërkesës pas 144 ditëve dhe kishin ofruar dëmshpërblim prej 7 mijë e dyqind e pesë funtesh.

Në përgjithësi, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka paguar vetëm 688 mijë funte dëmshpërblim për vdekjen e 289 civilëve afganë mes viteve 2006 e 2014.

Sipas të dhënave të siguruara nga kërkesat e mëparshme në qasje në informacione, shumat e dëmshpërblimeve të dhuruara nga Britania në Afganistan dallojnë shumë. Në disa raste, individët kanë marrë dëmshpërblime më të mëdha për humbje të pronës ose kafshëve shtëpiake sesa për humbje të familjarëve.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe organizatat bamirëse në mënyrë të vazhdueshme i kanë kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar për mënyrën se si i hetojnë dhe se si i raportojnë pasojat ndaj civilëve gjatë operacioneve ushtarake.

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, rishtazi ka dhënë urdhër për një rishikim të gjerë të mënyrës se si Pentagoni i heton pasojat ndaj civilëve. Ky veprim erdhi pas një sulmi ajror amerikan gjatë tërheqjes së forcave të ShBA-së nga Kabuli vitin e kaluar, nga i cili u vranë dhjetë civilë./Nacionale

Lajme të ngjashme