Jemeni, Afganistani e Etiopia mbesin ‘pa bukë’, fondet shkojnë në Ukrainë
Agjencitë e ndihmave humanitare, janë detyruar të zvogëlojnë ndihmat për Jemenin, Afganistanin, Sudanin e Jugut e Etiopinë duke ndarë më shumë fonde për Ukrainën e cila po përballet me një luftë që po intensifikohet për çdo ditë.
Pushtimi rus i Ukrainës ka ushtruar presion të madh mbi një buxhet tashmë në tkurrje të ndihmës ndërkombëtare. Agjencitë e ndihmave të cilat punojnë nën ombrellën e OKB-së me vendet qe kanë emergjenca përfshirë Sudanin e Jugut, Etiopinë, Afganistanin e Jemenin, janë vendosur përballë një vendimi të vështirë për mënyrën se si do t’i ndajnë paratë e tyre. The Guardian shkruan se ndërsa ndahen fonde për Ukrainë, këto agjenci janë detyruar të ulin ndihmat për vendet e tjera.
Duke komentuar mbi situatën e kohëve te fundit, shefi ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley, u shpreh se nuk ka shumë zgjidhje, "veçse të merret ushqimi nga i urituri për t’a ushqyer atë që është shumë i uritur."
Jemeni
Pas shtatë viteve të luftës në Jemen, nga një krizë ekonomike në vend që ka futur shumë njerëz në borxhe e nga kërcënimi i karkalecave të shkretëtirsë, të cilët shkatërrojnë të korrat, nevojat për ndihma në këtë vend sa vijnë e rriten.
Viktimat e luftës në Jemen dhe viktimat e krizave të tjera humanitare të nxitura nga konfliktet dhe fatkeqësitë klimatike kanë vazhduar të vuajnë edhe gjatë pandemisë, por ndihmat nga donatorët ndërkombëtarë janë ulur, duke detyruar humanitarët që të ulin dozën e ndihmave që kanë, përfshirë zvogëlimin e racioneve të ushqimit.
Edhe pse donatorët kanë premtuar 1.3 miliardë dollar për Jemenin, OKB njofton se nuk janë të mjaftueshme pasi që për këtë vend kërkohen të paktën 4.3 miliardë dollarë.
Sipas shkallës IPC, që përdoret për matjen e varfërisë, janë rreth 31,000 njerëz të cilët po përballen me nivele katastrofike të urisë në vend, ndërsa është bërë e ditur se ky numër mund të shkojë në 161,000 deri në muajin qershor.
Edhe pse nga agjencia e ushqimit të OKB-së, tashmë janë reduktuar racionet për 8 milionë njerëz, dhe numri i atyre që kanë nevojë dëshpërimisht për ndihmë është në rritje, agjencia ka paralajmëruar se do të ketë edhe reduktime të tjera.
Afganistani
Pas marrjes së pushtetit nga talebanët vitin e kaluar ku edhe u bë ngrirja e ndihmave për zhvillimin e Afganistanit, ky vend tashmë është zhytur në një ekonomi të varur nga ndihmat humanitare. Gjysma e popullsisë së vendit përballet me pasiguri ushqimore, ku mes tyre 7-8 milionë njerëz janë në rrezik urie.
OKB ka bërë thirrje për ndihmë ndaj këtij vendi, duke kërkuar 4.44 miliardë dollarë, megjithatë që nga muaji janar është financuar vetëm 13% e shumës. Sipas OKB-së, shumica e vendit është në borxhe dhe pothuajse 95% e familjeve nuk hanë ushqim të mjaftueshëm.
Etiopia
Luftimet në dhe rreth Tigray në Etiopinë veriore kanë zhvendosur më shumë se 2 milionë njerëz. Nga 957 milionë dollarë të menduara për financim në këtë vend, OKB ka dhënë 300 milionë më pak.
Për shkak të luftimeve të vazhdueshme, në vend është krijuar një situatë e komplikuara që e bën të vështirë hyrjen e agjencive të ndihmës brenda kampeve të zhvendosjes.
OKB ka njoftuar se shumica e familjeve në Tigray nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, dhe po e përballojnë krizën duke reduktuar vaktet, duke shitur të korrat për të paguar borxhet ose duke lypur. Është bërë e ditur se në këtë rajon mbi 454 mijë fëmijë dhe 120 mijë gra shtatzëna ose gjidhënese janë të kequshqyer.
Sudani i Jugut
Sudani i Jugut po përballet me krizën më të keqe të urisë ndonjëherë. OKB ka paralajmëruar se 70% e njerëzve do të përballen me krizën e varfërisë pasi do të nisë periudha e thatësirës. Nga një popullsi prej 11.4 milionë banorësh, tashmë 8.9 milionë prej tyre kanë nevojë për ndihmë. Megjithatë, ndihmat për Sudanin e Jugut janë ulur për 529 milionë dollarë.
Periudha e motit të thatë-që vitet e fundit ka zgjatur shumë, pasohet nga një sezon përmbytjesh, duke kufizuar kështu edhe lëvizjen e komuniteteve dhe agjencive humanitare për ndihma./Nacionale/