Për një “i”, Britania ia dërgon gabimisht aleatit të Rusisë shkresat që duhej t’i shkonin ShBA-së - NACIONALE

Për një “i”, Britania ia dërgon gabimisht aleatit të Rusisë shkresat që duhej t’i shkonin ShBA-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet britanike thanë të premten se ishin duke i hetuar shkresat elektronike të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat ishin dërguar në adresë të gabuar, pas raportimeve se mesazhet që duhej t’i dërgoheshin inteligjencës ushtarake të ShBA-së përfunduan në shtetin afrikan, Mali, aleat i Rusisë.

Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar po mundoheshin që ta kontaktonin Pentagonin, domeni i të cilit në internet është “.mil”, por aksidentalisht i dërguan shkresat elektronike në Mali, që e ka domenin “.ml”, raportoi gazeta “Times”.

Mali ka mbajtur lidhje të mira me Rusinë që nga puçi i vitit 2021, ndërsa e ka distancuar veten nga fuqia kolonialiste, Franca, dhe nga vendet e tjera perëndimore. Muajin e kaluar, autoritetet e këtij shteti kërkuan nga një forcë paqeruajtëse e OKB-së që të largohej nga vendi.

Britania tha se informatat e ndara në mënyrë të gabuar nuk ishin shumë të ndjeshme, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne kemi hapur një hetim, pasi një numër i vogël i shkresave elektronike u shpërndanë në një domen të pasaktë të postës elektronike”- tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, pa e vërtetuar emrin e domenit.

“Kemi besim që ato nuk përmbanin ndonjë informatë që do të mund t’i komprometonte sigurinë operacionale ose të dhënat teknike”- shtoi ai.

Javën e kaluar, sipas një hulumtimi të gazetës “Financial Times”, miliona shkresa elektronike ushtarake të ShBA-së janë dërguar gabimisht në domenin e Malit ndër vite për shkak të gabimeve të tilla në shkronja.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë la të kuptohej se është duke e trajtuar seriozisht incidentin, ndërsa e minimizoi peshën e materialit që është dërguar gabimisht.

“Të gjitha të dhënat e ndjeshme ndahen në sisteme të dizajnuara për ta minimizuar rrezikun e drejtimit të gabuar”- tha zëdhënësi britanik.

Lajme të ngjashme