Për herë të parë, mbretëresha Elizabetë nuk do ta emërojë kryeministrin në Londër - NACIONALE

Për herë të parë, mbretëresha Elizabetë nuk do ta emërojë kryeministrin në Londër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbretëresha Elizabeta II e Britanisë së Madhe do ta emërojë kryeministrin e ardhshëm me ceremoni zyrtare në Balmoral të Skocisë e jo në Pallatin Buckingham, për herë të parë gjatë pushtetit të saj 70-vjeçar.

Një zëdhënës i pallatit tha se zonja 96-vjeçare nuk do ta bëjë udhëtimin 1.600-kilometërsh nga Skocia, por kryeministri në largim, Boris Johnson, do të udhëtojë për në veri nga Londra më 6 shtator, pas takimit me pasardhësin ose pasardhësen e tij.

Johnson kishte mbetur me pak zgjidhje, pos të jepte dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Konservatore në fillim të korrikut pas disa skandaleve në qeverinë e tij, që çuan në dorëheqje të disa ministrave. Në garë për ta zënë vendin e tij janë sekretarja e Jashtme, Liz Truss, dhe ish-sekretari i Financave, Rishi Sunak.

Këta dy kandidatë e kanë kaluar verën duke bërë fushatë para 160.000 anëtarëve të partisë. Rezultatet e votimit do të publikohen të hënën, më 5 shtator, shkruan CNN, përcjell Nacionale.

Si udhëheqës i partisë më të madhe në kuvend, fituesi do të ftohet nga mbretëresha për ta formuar qeverinë e ardhshme dhe për t’u bërë kryeministri ose kryeministrja e pesëmbëdhjetë e Britanisë.

Caktimi i kryeministrit të ri është njëra nga përgjegjësitë kryesore ceremoniale të mbretëreshës. Ajo e bën edhe hapjen shtetërore të kuvendit dhe nënshkrimin e projektligjeve parlamentare për t’i shndërruar në ligje.

Në maj, princat Charles dhe William e zunë pjesën qendrore të skenës në një organizim për leximin e agjendës legjislative të qeverisë për vitin e ardhshëm në emër të nënës së tyre.

Kjo ishte hera e parë që mbretëresha nuk mori pjesë në një organizim të tillë në 59 vitet e fundit. Pallati tha se mungesa e saj ka ndodhur për shkak të problemeve me lëvizjen, pa dhënë hollësi të tjera.

Ceremonia e javës së ardhshme do ta shënojë herën e parë që një kryeministër e ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen ose që është caktuar jashtë Pallatit Buckingham gjatë shtatë dekadave të mbretëreshës në fron.

Shtatë organizime gjatë 12 muajve të fundit janë ndryshuar për t’iu përshtatur nevojave të mbretëreshës./Nacionale

Lajme të ngjashme