Pentagoni thotë se ShBA-ja do të dërgojë trupa e sistem antiraketor në Izrael - NACIONALE

Pentagoni thotë se ShBA-ja do të dërgojë trupa e sistem antiraketor në Izrael

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se do të dërgojë trupa në Izrael bashkë me një sistem të avancuar antiraketor, në një dislokim shumë të pazakontë me qëllim që të forcohet mbrojtja ajrore izraelite pas sulmeve raketore nga Irani.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se qëllimi i kësaj lëvizjeje është që "të mbrohet Izraeli", që është duke shqyrtuar një hakmarrje të pritshme kundër Iranit, pasi Teherani hodhi mbi 180 raketa drejt Izraelit më 1 tetor, raporton agjencia “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë duke i bërë thirrje në mënyrë private Izraelit që ta kalibrojë kundërpërgjigjen e tij për të shmangur një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme, thonë zyrtarët, dhe presidenti Biden i ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij ndaj një sulmi izraelit në qendra bërthamore të Iranit si dhe shqetësimin për një sulm ndaj infrastrukturës energjetike të këtij shteti.

Zëdhënësi i Pentagonit, Gjeneral Major Patrick Ryder, e përshkroi dislokimin si pjesë të “përshtatjeve më të gjera që ushtria amerikane i ka bërë muajve të fundit” për ta përkrahur Izraelin dhe për ta mbrojtur personelin amerikan nga sulmet prej Iranit dhe prej grupeve të përkrahura nga Teherani.

Megjithatë, një dislokim ushtarak i ShBA-së në Izrael është i rrallë jashtë ushtrimeve, duke i marrë parasysh kapacitetet ushtarake të Izraelit. Trupat amerikane muajve të fundit e kanë ndihmuar mbrojtjen e Izraelit nga luftanije e aeroplanë luftarakë në Lindje të Mesme, kur u sulmua nga Irani. Sidoqoftë, ata ishin të vendosur jashtë Izraelit.

Sistemi mbrojtës THAAD është pjesë kritike e sistemeve të mbrojtjes ajrore të ShBA-së dhe do ta përforcojë mbrojtjen tashmë të frikshme antiraketore të Izraelit.

Për operimin e një baterie të këtij sistemi zakonisht nevojiten 100 ushtarë. Ajo përbëhet nga gjashtë raketahedhës të instaluar në kamionë, me nga tetë pengues në secilin raketahedhës, si dhe nga një radar i fuqishëm.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, paralajmëroi më herët të dielën se Shtetet e Bashkuara po e vinin jetën e ushtarëve të tyre “në rrezik përmes dislokimit të tyre për të operuar sisteme raketore amerikane në Izrael”.

“Përderisa ne kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme ditëve të fundit për të frenuar një luftë të plotë në rajonin tonë, unë them qartazi se nuk kemi vija të kuqe për mbrojtjen e njerëzve dhe interesave tona” – shkroi kryediplomati iranian në rrjetin X.

Lajme të ngjashme