Pentagoni thotë se do të dërgojë “me nxitim” raketa të sistemit “Patriot” në Ukrainë
Pentagoni ka thënë se do të dërgojë “me nxitim” raketa të sistemit të mbrojtjes ajrore, “Patriot”, dhe municion artilerie në Ukrainë si pjesë e një pakoje të re të ndihmave ushtarake.
Shtetet e Bashkuara do të ndajnë gjashtë miliardë dollarë për këtë qëllim, tha të premten sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Megjithatë, Ukrainës nuk do t’i dërgohen raketahedhës të këtij sistemi, raporton televizioni BBC.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sistemet “Patriot” nevojiten “urgjentisht” për t’u ballafaquar me kërcënim në rritje nga rusët përmes ajrit dhe “munden dhe duhet të shpëtojnë jetë tani”.
Një burim i konfirmoi televizionit BBC se pakoja 6-miliardëshe është pjesë e pakos 60-miliardëshe të ndihmave që u nënshkrua nga presidenti Joe Biden të mërkurën. Në të përfshihen një miliard dollarë ndihma më të shpejta.
Sekretari Austin tha në një konferencë për gazetarë se Shtetet e Bashkuara po zotohen për pakon më të madhe të asistencës në fushën e sigurisë deri më tani dhe “do të lëvizin menjëherë” për t’i dërguar furnizimet në Ukrainë.
Në to do të përfshihen municioni i mbrojtjes ajrore, sistemet kundër dronëve dhe municioni i artilerisë, por jo sistemet “Patriot”.
“Nuk janë vetëm Patriot-ët për të cilët ata [ukrainasit] kanë nevojë, ata kanë nevojë për lloje të tjera të sistemeve dhe kapësve, gjithashtu. Do t’ua tërhiqja vërejtjen të gjithë neve që të mos e bëjmë Patriot-in shkop magjik” – shtoi sekretari amerikan.
Ai më tej tha se ka besim që më shumë sisteme raketore do të jenë të disponueshme për Kievin së shpejti. Sipas Austinit, bisedimet janë duke vazhduar me partnerë evropianë për t’i dhuruar Ukrainës kapacitete shtesë.
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së, Gjeneral Charles Brown, tha se kjo asistencë do të duhej ta eliminonte nevojën e Ukrainës për t’i kursyer predhat në vijën e frontit.
Një pjesë e fondeve të reja do të shkojnë edhe për ndërtimin e industrisë së mbrojtjes të Ukrainës, në mënyrë që ky shtet të mund ta fillojë prodhimin e municionit shtesë që i nevojitet në mënyrë dëshpëruese.
Sekretari Austin tha se Rusia tashmë e kishte shtuar prodhimin e brendshëm të municionit të artilerisë dhe të armëve të tjera si dhe po mbështetet nga furnizimet nga Irani dhe Koreja e Veriut.
“Kuptojeni se çfarë është në pyetje për Ukrainën, për Evropën, për Shtetet e Bashkuara. Nëse Putini ngadhënjen në Ukrainë – Evropa do të ballafaqohej me një kërcënim sigurie që nuk e ka parë në një jetëgjatësi të njeriut. Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë” – paralajmëroi zyrtari i lartë amerikan./Nacionale