Pas vendimit të Trumpit, Siria nënshkruan marrëveshje 800-milionëshe për portin e Tartusit
Qeveria e Sirisë dhe kompania “DP World” nga Emiratet e Bashkuara nënshkruan një memorandum mirëkuptimi me vlerë të 800 milionë dollarëve për zhvillimin e qytetit bregdetar sirian të Tartusit, pasi heqja e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara i hapi rrugë marrëveshjes.
Marrëveshja për zhvillimin, menaxhimin dhe operimin e terminalit për shumë qëllime në Tartus e përfshin bashkëpunimin për themelimin e zonave industrial dhe ato të tregtisë së lirë. Kompania “DP World” është filial i i kompanisë investuese nga Emiratet e Bashkuara, “Dubai World”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Siria po synon që të tërheqë investime të huaja për ta fuqizuar ekonominë që është në vështirësi dhe marrëveshja u nënshkrua në javën e njëjtë kur presidenti amerikan, Donald Trump, e njoftoi planin për t’ia hequr sanksionet Sirisë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e mori vendimin për heqjen e sanksioneve pas diskutimeve me princin e Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dhe me presidentin turk, Rexhep Erdogan, qeveritë e të cilëve kishin bërë thirrje të fuqishme për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Sirisë.
Trumpi gjithashtu u takua me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed Al-Sharaa, para se të shkonte në Riad të Arabisë Saudite të mërkurën.
Heqja e sanksioneve që e kishin shkëputur Sirinë nga sistemi financiar global do ta hapë rrugën edhe për angazhim më të madh të organizatave humanitare që punojnë në Siri, duke i lehtësuar investimet e jashtme dhe tregtinë gjatë periudhës së rindërtimit.
Në një zhvillim tjetër, raportohet se Siria planifikon që t’i shtypë bankënotat e saj me dizajn të ri në Gjermani dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe e jo më në Rusi, thanë tri burime, duke i pasqyruar lidhjet që po i përmirëson shpejt me shtetet e Gjirit Persik dhe vendet perëndimore, teksa premtimi i ShBA-së për heqjen e sanksioneve po i ofron Damaskut mundësi të reja./Nacionale