Pas Ukrainës, raportohet se Orbani do të shkojë në Rusi, reagojnë BE-ja e Polonia - NACIONALE

Pas Ukrainës, raportohet se Orbani do të shkojë në Rusi, reagojnë BE-ja e Polonia

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Udhëheqës të tjerë të BE-së kanë shprehur shqetësim rreth raportimeve të mediave se kryeministri hungarez, Viktor Orban, mund ta takojë të premten në Moskë presidentin rus, Vladimir Putin.

Orbani, vendi i të cilit tani e ka presidencën e përkohshme të BE-së, është udhëheqësi i vetëm i një vendi të bllokut që ka mbajtur lidhje të ngushta me Kremlinin pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës, raporton televizioni BBC.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Orbani “nuk ka mandat për t’u angazhuar me Rusinë në emër të BE-së”, ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk, kërkoi sqarim.

Disa media raportuan rreth vizitës së mundshme të Orbanit në Moskë, duke i cituar burimet e tyre.

Gazeta “The Financial Times” raportoi se një zyrtar hungarez dhe dy të BE-së i kishin konfirmuar raportimet e mediave se Orbani do të takohet me presidentin rus të premten.

Radio “Evropa e Lirë”, media e financuar nga Shtetet e Bashkuara, citoi një burim qeveritar hungarez. Kjo radio gjithashtu tha se Orbani do të shoqërohet nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto.

Hungaria dhe Rusia nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të BBC-së për koment.

Të hënën, sipas agjencisë AFP, Orbani premtoi “lajme të befasishme nga vende të befasishme”.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin X, Michel tha: “Presidenca e përkohshme e BE-së nuk ka mandat për t’u angazhuar me Rusinë në emër të BE-së. Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresorja, Ukraina është viktima. Nuk mund të mbahet asnjë diskutim për Ukrainën pa Ukrainën.”

Kryeministri polak pyeti: “Thashethemet për vizitën tënde në Moskë nuk mund të jenë të vërteta, @PM_ViktorORban, apo munden?”

Më herët këtë javë, kryeministri hungarez e vizitoi Ukrainën, duke thënë se “një armëpushim i shpejtë do të mund të përdorej për t’i përshpejtuar bisedimet e paqes”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka pasur marrëdhënie të ftohta me Orbanin, nuk iu përgjigj publikisht propozimit.

Megjithatë, shumë ukrainas besojnë se një armëpushim vetëm do ta betononte kontrollin e Rusisë në territoret që ia ka marrë Ukrainës.

Spekulimet e mediave për vizitën e mundshme të Orbanit në Moskë u bënë në kohën kur presidenti rus përsëri tha se ishte i hapur për bisedime me Ukrainën.

Putini rishtazi ka paraqitur një grumbull të parakushteve të vështira për bisedime të paqes, por Kievi dhe aleatët e saj perëndimorë thonë se ato do të ishin të barabarta me kapitullimin e Ukrainës./Nacionale

Lajme të ngjashme