Pas sulmit që gati e vrau, Imran Khan rinis tubimet në Pakistan - NACIONALE

Pas sulmit që gati e vrau, Imran Khan rinis tubimet në Pakistan

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kryeministri i rrëzuar i Pakistanit, Imran Khan, ka folur me qindra mijëra mbështetës, në daljen e tij të parë publike që kur u qëllua dhe u plagos tre javë më parë.

Turma me njerëz ishin mbledhur për një tubim në qytetin e Rawalpindi, me flamuj në duar. Ndërkohë që, ish-ylli i kriketit u kërkoi atyre të jetonin pa frikë nga vdekja.

Kujtojmë se gjatë sulmit që ndodhi në fillim të këtij muaji në një tubim që drejtonte Khan, një person humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën, me vetë ish-kryeministrin i cili u plagos në këmbën e djathtë dhe iu nënshtrua një operacioni. Për këtë sulm, ai ka akuzuar anëtarët e qeverisë aktuale.

Megjithatë, autoritetet kanë hedhur poshtë akuzat dhe kanë publikuar një video që pretendon të tregojë një rrëfim nga një burrë që ata e përshkruajnë si të dyshuarin e vetëm për sulmin.

Të shtunën, Khan pretendoi se "tre kriminelë" po prisnin të bënin një tjetër përpjekje për ta vrarë atë, por ai tha se "frika e bën një komb të tërë skllevër", duke u thënë mbështetësve se nuk duhet të frikësohen nga kërcënimet apo dhuna.

Gjatë fjalimit të tij, Khan gjithashtu pranoi dështimet në trajtimin e korrupsionit gjatë mandatit të tij të kryeministrit - duke thënë se ai "dështoi në sjelljen e të fuqishmëve nën ligj".

Ngjarja e organizuar sot, u përshkrua si kulmi i "marshimit të gjatë" të Khan - një seri mitingjesh gjatë të cilave ai ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Khan u rrëzua nga posti në fillim të këtij viti, pasi humbi një votëbesimi në parlament. E vetëm pak kohë më vonë ai u skualifikua nga mbajtja e posteve publike.

Ai është akuzuar edhe se nuk ka deklaruar me saktësi detajet e dhuratave që ka marrë dhe dhënë gjatë kohës që ishte në detyrë – duke përfshirë orët Rolex, një unazë dhe manshete – akuza që Khan i ka mohuar, duke i cilësuar të motivuara politikisht.

Pas dëbimit të tij nga detyra, ai është bërë një kritik i zëshëm i qeverisë së Pakistanit dhe udhëheqjes së saj të fuqishme ushtarake.

Pakistani ka një histori të gjatë të dhunës vdekjeprurëse politike. Kujtojmë se, në vitin 2007 në një tubim u vra edhe ish-kryeministrja Benazir Bhutto.

Lajme të ngjashme