Pakistani akuzon ish-kryeministrin Imran Khan për terrorizëm
Policia e Pakistanit ka akuzuar ish-kryeministrin e vendit, Imran Khan, për akt terrorist.
Sipas BBC-së, hetimi ndaj tij ka ardhur pas një akuze që ai i ka bërë policisë dhe gjyqësorit për ndalimin dhe torturimin e ndihmësit të tij të ngushtë.
Që nga rrëzimi i tij nga pushteti në muajin prill, Khan ka qenë një kritik i zëshëm i qeverisë dhe ushtrisë së vendit.
Zyrtarët akuzuan Khan për shkelje të aktit anti-terrorist të vendit dhe për gjoja për kërcënime kundër zyrtarëve shtetërorë.
E pas publikimi të lajmeve për hetimin ndaj tij, qindra mbështetës të ish-kryeministrit u mblodhën jashtë shtëpisë së tij në Islamabad, duke u zotuar se do ta "marrin situatën në dorë" nëse policia përpiqet ta arrestojë atë.
Të veshur me flamujt e partisë së Khan, mbështetësit janë vendosur afër rezidencës së tij duke kënduar në mbështetje të ish-udhëheqësit të tyre.
Vetë Khan ende nuk ka folur në lidhje me akuzat e fundit ndaj tij, ndërsa aleatët politikë të tij paralajmëruan të hënën se arrestimi i liderit do të ishte një "vijë e kuqe".
"Nëse Imran Khan arrestohet... ne do të marrim Islamabadin," ka shkruar në Twitter një ish-ministër në kabinetin e Khan, Ali Amin Gandapur.
Gjykata e Lartë e Islamabadit ka miratuar lirimin me kusht tre-ditor, por rastin ndaj tij e ka nisur drejt një gjykate kundër terrorizmit duke thënë se ishte forumi i duhur për të adresuar çështjen.
Akuzat e fundit ndaj tij vijnë në një kohë të tensionit të shtuar midis qeverisë së Pakistanit dhe Khan, i cili u rrëzua nga pushteti në prill në një votë mosbesimi.
Që atëherë, ish-udhëheqësi ka vizituar vendin për të mbajtur një sërë fjalimesh të zjarrta duke bërë thirrje për zgjedhje të reja dhe duke kritikuar ashpër qeverinë dhe ushtrinë. E pavarësisht rrëzimit të tij, Imran Khan vazhdon të llogarisë në mbështetjen e shumë votuesve pakistanezë.
Muajin e kaluar, partia e tij PTI mahniti rivalët duke marrë kontrollin e një asambleje provinciale vendimtare në Punjab, duke mundur partinë PML-N në atë që pritej të ishte një fitore e lehtë për ta.
Shumë e panë fitoren e zgjedhjeve të korrikut si një sinjal të popullaritetit të vazhdueshëm të Khan - dhe një parashikim të asaj që mund të ndodhte nëse do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme që ai kërkon.
Politikani karizmatik u zgjodh kryeministër në vitin 2018, por u përplas me ushtrinë e fuqishme të Pakistanit në fund të mandatit të tij. Pas një sërë dezertimesh, ai humbi shumicën në parlament.