Përmbytjet në Afganistan dhe Pakistan, dhjetëra të vdekur brenda një nate - NACIONALE

Përmbytjet në Afganistan dhe Pakistan, dhjetëra të vdekur brenda një nate

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Sipas zyrtarëve lokalë, përmbytjet e mëdha nga shirat sezonalë në Afganistanin lindor dhe disa pjesë fqinje të Pakistanit, kanë lënë dhjetëra persona të vdekur gjatë një nate.

Në fotografitë e publikuara nga Associated Press duken fshatarët në rrethin Khushi të provincës Logar në jug të kryeqytetit afgan të Kabulit duke pastruar shtëpitë e tyre të dëmtuara pas përmbytjeve të fuqishme.

Abdullah Mufaker, kreu i autoritetit të provincës për reagim ndaj fatkeqësive natyrore, ka thënë se ende nuk dihet nuk dihet numri i saktë i viktimave, por të paktën brenda natës janë numëruar nëntë viktima.

“Numri i saktë nuk është i qartë për momentin, dhe njerëzit kanë shkuar për të nxjerrë trupat e pajetë,” tha ai.

Ndërsa, Del Agha, një plak i fshatit, tha se përmbytjet ishin të papara më herët në historinë e Kushit.

"Përmbytjet mbytën të gjitha kafshët, shkatërruan shtëpitë dhe tokat bujqësore të njerëzve," tha ai, duke shtuar se, "njerëzit janë të pastrehë, dhe janë detyruar të strehohen në male."

Ndërsa, sipas autoritetit të menaxhimit të fatkeqësive natyrore të vendit në Pakistanin fqinj, përmbytjet e shkaktuara nga shirat e musonit vranë të paktën 36 njerëz, përfshirë 11 të vdekur në zonat në kufi me Afganistanin.

Ata kanë bërë të ditur se punonjësit e shpëtimit të mbështetur nga ushtria kanë evakuuar mijëra njerëz të izoluar në vende të sigurta, ndërsa në vend priten edhe më shumë shira gjatë kësaj jave.

Javën e kaluar, shirat e dendur shkaktuan përmbytje që vranë të paktën 31 njerëz dhe lanë dhjetëra të zhdukur në veri të Afganistanit.

Sezoni i musonit në vend zgjat nga korriku deri në shtator.

Lajme të ngjashme