Pas ShBA-së, Kina kërcënon edhe Kanadanë, shkak Tajvani - NACIONALE

Pas ShBA-së, Kina kërcënon edhe Kanadanë, shkak Tajvani

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një javë pasi u zbulua se Kanadaja ka planifikuar të dërgojë një delegacion të parlamentarëve në Tajvan brenda këtj viti, Kina ka paralajmëruar se do të marrë "masa të forta" nëse kjo vizitë realizohet.

Kina e pretendon Tajvanin si territorin e saj sipas "parimit të saj të një Kine" dhe kundërshton që politikanët e huaj të vizitojnë ishullin. Ndërkohë, Tajvani i qeverisur në mënyrë demokratike hedh poshtë pretendimet e Kinës.

“Ne i bëjmë thirrje palës kanadeze të respektojë parimin e një Kine dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, tha ambasada kineze në Kanada përmes një deklarate, duke shtuar se:

“Kina do të marrë masa të vendosura dhe të forta kundër çdo vendi që tenton të ndërhyjë ose të cenojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”.

Sipas The Guardian, deputetja liberale Judy Sgro, bëri të ditur javën e kaluar se, anëtarët e një "grupi miqësie" parlamentare Kanada-Tajvan, i cili nuk merr mbështetje administrative ose financiare nga parlamenti kanadez, kishin planifikuar të vizitonin ishullin e vetëqeverisur në tetor.

Sgro tha se udhëtimi do të përqendrohej në tregti dhe qëllimi i ligjvënësve nuk ishte të prishnin dhe të shkaktonin probleme për Tajvanin ose Kinën.

Në një deklaratë të dhënë, qeveria kanadeze tha se shoqatat parlamentare dhe grupet e miqësisë ishin të pavarura dhe se respekton përpjekjen e ligjvënësve për të vizituar Tajvanin.

Kanadaja, si pjesa tjetër e perëndimit, ndjek një politikë të një Kine që diplomatikisht njeh Pekinin dhe jo Taipein, ndërsa jozyrtarisht mbështet Tajvanin.

Kujtojmë se, që nga vizita në Tajvan e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi, marrëdhëniet midis Kinës dhe perëndimit janë përkeqësuar shumë, me Kinën që si përgjigje organizoi stërvitje ushtarake rreth ishullit.

Lajme të ngjashme