Pas reagimeve, kryeministri britanik paguan mijëra funte për dhuratat që i mori - NACIONALE

Pas reagimeve, kryeministri britanik paguan mijëra funte për dhuratat që i mori

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha të mërkurën se është “e duhur” që ai ka paguar më shumë se gjashtë mijë funte vlerë të dhuratave dhe mikpritjeve, pas kritikave për dhuratat që ai ka marrë.

Për disa javë, Starmeri është ballafaquar me kritika për nivelin e donacioneve, ku përfshiheshin rroba, syze dhe bileta për ekipin e tij të parapëlqyer në futboll, Arsenalin, që ai i ka pranuar viteve të fundit, raporton agjencia “Associated Press”.

Gjatë mandatit parlamentar prej vitit 2019 deri më 2024, Starmeri ka pranuar rreth donacione me vlerë të rreth 100 mijë funteve, dukshëm më shumë se secili anëtar tjetër i Kuvendit. Edhe pse donacionet ishin të ligjshme dhe të raportuara në mënyrën e duhur te zyrtarët e Kuvendit, kritikat e kanë dëmtuar popullaritetin e kryeministrit.

Sipas zyrtarëve në zyrat e tij në Qeveri, Starmeri e ka mbuluar koston e gjashtë biletave për koncertin e këngëtares Taylor Swift në Stadiumin “Wembley”, katër bileta të një gare me kuaj dhe një marrëveshje për rroba me qira me një disenjator të njohur që pëlqehet nga bashkëshortja e tij, Victoria Starmer.

“Tani do të sjellim parime për donacione, sepse, deri më tani, politikanët e kanë përdorur gjykimin e tyre më të mirë individual në raste veç e veç. Mendoj se kemi nevojë për disa parime të zbatimit të përgjithshëm. Prandaj, unë e mora pozicionin që derisa të vendosen parimet, është e duhur që unë t’i bëjë këto ripagesa” – deklaroi kryeministri Starmer.

Në përpjekje për t’i dhënë fund çështjes, ai është zotuar për ndryshimin e rregullave të mikpritjes për ministrat në mënyrë që të garantohet transparencë më e mirë./Nacionale

Lajme të ngjashme