Pas njoftimit për pakësim të ushtarëve, Izraeli i shton sulmet me aeroplanë e tanke në Gaza
Aeroplanët e tanket izraelite i shtuan sulmet në jug të Gazës gjatë natës së kaluar, thanë banorët, pasi ky vend njoftoi se do të tërhiqte një pjesë të ushtarëve nga enklava, lëvizje për të cilën ShBA-ja tha se tregon ndryshim gradual drejt operacioneve me intensitet më të ulët në veri të Gazës.
Izraeli thotë se lufta në Gaza, e cila ka lënë nën rrënoja një pjesë të madhe të territorit, duke vrarë mijëra njerëz e duke e çuar popullsinë prej 2,3 milionë njerëzish drejt katastrofës humanitare, do të vazhdojë edhe për shumë muaj, raporton agjencia "Reuters".
Megjithatë, izraelitët sinjalizuan një fazë të re të ofensivës së tyre, kur një zyrtar tha të hënën se ushtria do ta zvogëlojë numrin e trupave brenda Gazës këtë muaj dhe do të kalojë në fazën e operacioneve të "fshirjes", e cila do të zgjasë disa muaj.
Ky zyrtar shtoi se pakësimi i trupave do t'u mundësojë disa rezervistëve që t'i kthehen jetës civile, duke e mbështetur ekonominë e goditur nga lufta, dhe do ta mundësojë lirimin e disa njësiteve në rast të një konflikti më të gjerë në veri me Hezbollahun e mbështetur nga Irani, grup që vepron në Liban.
Një zyrtar amerikan tha se ky vendim duket se e tregon fillimin e kalimit tek operacionet me intensitet më të ulët në veri të enklavës palestineze. Uashingtoni ka qenë duke i bërë thirrje Izraelit që ta zvogëlojë intensitetit e operacioneve ushtarake, në kohën e thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, përderisa numri i civilëve të vrarë po rritet.
Megjithatë, disa banorë thanë se aeroplanët dhe tanket izraelite i shtuan bombardimet në zonat lindore e veriore të qytetit Khan Younis, i cili shtrihet në jug të Gazës.
Shenjat për ritëm të ulur në veri të Gazës erdhën në kohën e njoftimit të forcave detare amerikane që aeroplanmbajtësja "Gerald R. Ford" do të kthehej në portin e saj në Virgjinia, pasi ishte dislokuar në lindje të Detit Mesdhe pas shpërthimit të luftimeve.