Pas Kolorados, edhe shteti Maine e përjashton Trumpin nga gara për president - NACIONALE

Pas Kolorados, edhe shteti Maine e përjashton Trumpin nga gara për president

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarja më e lartë e zgjedhjeve në shtetin verilindor të ShBA-së, Maine, ka marrë vendim që ish-presidenti Donald Trump nuk mund të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale në këtë shtet vitin e ardhshëm, duke e cituar pikën për kryengritje në kushtetutë.

Sekretarja e Shtetit në Maine, Shenna Bellows, tha se Trumpi nuk i plotëson kushtet për shkak të veprimeve të tij që kishin çuar në kryengritjen në Capitol më 2021, raporton televizioni BBC.

Maine tashmë i bashkohet Kolorados si dy shtete që ia kanë ndaluar Trumpit pjesëmarrjen në zgjedhje. Ky vendim e shton presionin ndaj Gjykatës Supreme të ShBA-së për t’u përfshirë në çështje.

Votuesit në Kolorado zakonisht e votojnë Partinë Demokratike, por konkurrenca politike në Maine është më e fortë dhe humbja e mundshme në këtë shtet do të ishte domethënëse për Trumpin.

Në vendimin me 34 faqe thuhet se Trumpi duhet të hiqet nga fletëvotimi në Maine për shkak të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së ShBA-së, me të cilin i ndalohet mbajtja e postit publik kujtdo që është “angazhuar në kryengritje ose rebelim”.

Zonja Bellows tha në vendimin e saj se Trumpi “në rrjedhën e disa muajve e duke kulmuar më 6 janar 2021, përdori një narrativë të rreme të mashtrimit në zgjedhje për t’i nxitur përkrahësit e tij dhe për t’i drejtuar ata drejt Capitol-it”.

Ajo shtoi se “kërkesat rastësore që trazuesit të ishin paqësorë e ta përkrahnin zbatimin e ligjit nuk i imunizojnë veprimet e tij”.

Duke folur për televizionin BBC, zonja Bellows tha se është detyrë e saj që t’i zbatojë ligjet e zgjedhjeve në shtetin e saj dhe se shpreson që “Gjykata Supreme do ta zgjidhë këtë çështje në nivel vendi”.

Zyrtarët e fushatës së Trumpit më parë kishin bërë thirrje që kjo zyrtare të qëndronte larg procesit dhe të enjten shpejt e kritikuan vendimin e saj.

Zëdhënësi i fushatës së Trumpit, Steven Cheung, e quajti zonjën Bellows “demokrate hiper-partizane, përkrahëse e Bidenit” dhe pretendoi se ajo po përfshihej në “ndërhyrje në zgjedhje”.

Ai shtoi se zyrtarët e fushatës së Trumpit “shpejt do të paraqesin një ankesë ligjore në gjykatën shtetërore për ta parandaluar hyrjen në fuqi të këtij vendimi mizor në Maine”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Në lidhje me këto zhvillime, mund të lexoni edhe:

Historike: Gjykata Supreme e Kolorados ia ndalon Trumpit pjesëmarrjen në zgjedhjet paraprake
Gjykata Supreme e Michigan-it e refuzon përpjekjen për ta hequr Trumpin nga zgjedhjet

Lajme të ngjashme