Historike: Gjykata Supreme e Kolorados ia ndalon Trumpit pjesëmarrjen në zgjedhjet paraprake - NACIONALE

Historike: Gjykata Supreme e Kolorados ia ndalon Trumpit pjesëmarrjen në zgjedhjet paraprake

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Supreme e Kolorados bëri histori të martën përmes një vendimi të pashembullt, sipas të cilit ish-presidenti Donald Trump nuk është i pranueshëm me kushtetutë për të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake të këtij shteti më 2024 për shkak të Amendamentit 14, me të cilin ndalohet mbajtja e pozitave publike nga kryengritësit, kusht që, sipas gjykatës, plotësohet nga sjelljet e Trumpit më 6 janar 2021.

Vendimi që u mor me katër vota për e tri kundër e largon Trumpin nga kutia e votimit të republikanëve në Kolorado, që pritet të mbahet në fillim të marsit. Megjithatë, gjykatësit në Kolorado e pauzuan vendimin në mënyrë që Trumpi të mund të paraqesë apel në Gjykatën Supreme të ShBA-së, e cila edhe mund t’ia ruajë vendin atij në fletëvotim në zgjedhjet kryesore paraprake të Kolorados, nëse apeli nuk zgjidhet shpejt, raporton televizioni CNN.

Në shumë mënyra, ky vendim e mban Trumpin përgjegjës për përpjekje për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe ofron ndëshkim politik për sjellje anti-demokratike.

Gjykata më e lartë në Kolorado i mbajti në fuqi konkluzionet e gjykatësit të rastit se sulmi më 6 janar 2021 ndaj Capitol-it ishte kryengritje dhe se Trumpi ishte “angazhuar” në atë kryengritje.

Gjykatësit gjithashtu e konfirmuan vendimin se fjalimi i Trumpit më 6 janar 2021 në Ellipse nuk ishte i mbrojtur nga Amendamenti i Parë. Trumpi pa sukses është munduar që ta paraqesë këtë argument në gjykata shtetërore e federale, të cilat kishin vlerësuar se ai kishte nxitur dhunë, kur u kishte thënë përkrahësve “që të ecin drejt Capitol-it” dhe “të luftojnë si ferri për ta marrë prapë vendin tonë”.

“Presidenti Trumpi e nxiti dhe e inkurajoi përdorimin e dhunës dhe veprimet e paligjshme për ta penguar kalimin paqësor të pushtetit”- shkruan gjykatësit në opinionin e shumicës, që ka 134 faqe.

Pavarësisht nga ky vendim, fjalën e fundit do ta ketë Gjykata Supreme e ShBA-së. Pritet që Trumpi të paraqesë apel në këtë gjykatë, e cila mbizotërohet nga gjykatësit konservatorë.

Në vendimin e Gjykatës Supreme të Kolorados thuhet se nëse Trumpi paraqet apel në Gjykatën Supreme të ShBA-së para 4 janarit, që pothuajse është e sigurt, atëherë vendimi do të pauzohet derisa gjykata më e lartë e vendit të njoftojë nëse do ta marrë në shqyrtim rastin, dhe nëse e merr, derisa ta japë vendimin e vet përfundimtar.

Lajme të ngjashme