Parlamenti rus miraton projektligjin që lejon Moskën të mbyllë zyrat perëndimore të lajmeve
Parlamenti rus ka miratuar dje një projekt-ligj që u jep prokurorëve kompetenca për të mbyllur zyrat e mediave të huaja në Moskë nëse një vend perëndimor ka qenë "jomiqësor" ndaj mediave ruse. Ky vemdim vjen pas mbylljes së disa agjencive shtetërore ruse të lajmeve në Perëndim.
Projektligji, i miratuar në lexim të parë nga dhoma e ulët e parlamentit, ose Duma, gjithashtu ndalon shpërndarjen e artikujve ose materialeve të tjera nga media që janë mbyllur nga prokuroria. Projektligji duhet t'i nënshtrohet dy leximeve të tjera, të shqyrtohet nga dhoma e lartë e parlamentit dhe të nënshkruhet nga presidenti, Vladimir Putin, për t'u bërë ligj.
Gazetarëve të një organizate mediatike që konsiderohet si shkelës të rregullave, sipas projektligjit do t'u hiqet akreditimi i ministrisë së jashtme - që do të thotë se ata nuk mund të punojnë në Rusi.
Projektligji i ri shton sfidat me të cilat përballen mediat e huaja, pasi Rusia në mars miratoi një ligj që penalizon atë që e quajti përhapjen e lajmeve "të rreme" për ushtrinë e saj.
“Në situatën aktuale gjeopolitike, masmedia është kthyer në një instrument ndikimi në gjendjen informative të shoqërisë”, thanë ligjvënësit në një shënim zyrtar shpjegues për projektligjin.
Shënimi, të cilin e ka parë Reuters, thotë: "Në përputhje me projektligjin, një gazetar dhe një korrespondent i huaj mund të humbasin akreditimin e tyre nëse vërtetohet fakti i veprimit jomiqësor përmes vendosjes së kufizimeve në shpërndarjen e masmedias ruse që operon në një vend të huaj.”
Projektligji u prezantua nga ligjvënës me ndikim, duke përfshirë Andrei Lugovoy, i cili u akuzua në mungesë nga prokurorët britanikë për vrasjen me helmim të Aleksandër Litvinenkos në 2006. Lugovoy, një ish-truproj i KGB-së, i ka mohuar vazhdimisht akuzat.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e ka qortuar vazhdimisht Perëndimin për pengimin e operimit të mediave pro-Kremlinit, si agjencia e lajmeve Sputnik dhe kanali televiziv RT, duke tërhequr licencat e tyre të transmetimit dhe duke aplikuar sanksione, hapa që ai thotë se tregojnë një shpërfillje të lirisë së medias.
Në mars, Vladimir Putin nënshkroi një ligj që vendos dënimin deri në 15 vjet burg për përhapjen e qëllimshme të lajmeve "të rreme" rreth ushtrisë, duke nxitur disa media perëndimore të tërheqin gazetarët e tyre nga Rusia. Organizata të tjera perëndimore, përfshirë Reuters, kanë qëndruar dhe vazhdojnë të raportojnë.
Zyrtarët rusë nuk e përdorin fjalën "pushtim" dhe thonë se mediat perëndimore kanë dhënë informata tepër të pjesshme të asaj që ata e quajnë "operacion special" të Rusisë në Ukrainë që shpërfill shqetësimet e Rusisë për zgjerimin e NATO-s dhe persekutimin e pretenduar të rusishtfolësve.