Pamjet satelitore sugjerojnë se Iranit iu godit radari i mbrojtjes ajrore gjatë sulmit izraelit - NACIONALE

Pamjet satelitore sugjerojnë se Iranit iu godit radari i mbrojtjes ajrore gjatë sulmit izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa fotografi satelitore të shkrepura të hënën sugjerojnë se një sulm që i është veshur Izraelit, që në shënjestër e kishte qytetin qendror iranian, Isfahan, goditi një sistem radarësh për një bateri të mbrojtjes ajrore të prodhimit rus, duke rënë ndesh me mohimet e vazhdueshme nga zyrtarët në Teheran për ndonjë dëm nga sulmi.

Sulmi ndaj radarëve të sistemit kundërajror S-300 në atë që duket të ketë qenë sulm shumë i kufizuar nga izraelitët do të përbënte shumë më shumë dëm se ndikimi i sulmit masiv me dronë e raketa nga Irani kundër Izraelit më 13 prill. Kjo mund të jetë arsyeja pse zyrtarët iranianë deri te lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, janë përpjekur që t’i shmangen diskutimit për atë se çfarë në të vërtet ka shkaktuar sulmi në territorin e Iranit, raporton agjencia “Associated Press”.

Analistët besojnë se edhe Irani, edhe Izraeli, armiq rajonalë të ngujuar në një luftë nën hije me vite, tani po mundohen që t’i ulin tensionet pas një vargu të sulmeve hakmarrëse mes tyre, përderisa lufta Izrael – Hamas në Rripin e Gazës po vazhdon ende dhe po e tensionon rajonin më të gjerë. Sidoqoftë, ekspertët thonë se një sulm ndaj sistemit më të avancuar kundërajror që e ka dhe e përdor Irani për t’i mbrojtur qendrat e veta bërthamore dërgon një porosi.

“Ky sulm tregon se Izraeli e ka aftësinë për të depërtuar nëpër sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit. Saktësia e tij ishte goxha e jashtëzakonshme” – tha Nicole Grajewski nga programi për politika bërthamore në organizatën “Carnegie Endowment”, e cila ka shkruar një libër për Rusinë dhe Iranin.

Në fotografitë satelitore të kompanisë “Planet Labs PBC”, që u shkrepën të hënën në mëngjes afër aeroportit dhe bazës ajrore afër Isfahanit, rreth 320 kilometra në jug të Teheranit, shfaqet një zonë afër që shërbente si pikë dislokimi për sistemin e mbrojtjes ajrore. Shenja të djegies shihen përreth atij që analistët më parë e kishin identifikuar si një sistem radarësh të përdorur për sistemin S-300.

Të premten, sistemet e mbrojtjes ajrore u shkrepën dhe Irani i pezulloi fluturimet komerciale në një pjesë të madhe të vendit. Zyrtarët u munduan që ta minimizonin peshën e sulmit, duke u përpjekur që ta përshkruanin atë si thjesht një varg të dronëve të vegjël që po fluturonin në qiell.

“Çfarë ndodhi... nuk ishte sulm. Ata ishin më shumë si lodra me të cilat luajnë fëmijët tanë – jo dronë” – prentedoi në një intervistë me televizionin “NBC News” kryediplomati iranian, Hossein Amirabdollahian.

Pas sulmit, megjithatë, irakianët gjetën diçka që dukeshin si mbetje të raketave tokë – ajër në jug të Bagdadit.

Lajme të ngjashme