Pamje të rënda: Babai e mban të birin 21-muajsh në Gaza, iu vra nga sulmi ajror izraelit - NACIONALE

Pamje të rënda: Babai e mban të birin 21-muajsh në Gaza, iu vra nga sulmi ajror izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjymtyrët e fëmijës së vdekur palestinez ishin të ftohta pavarësisht nga vapa përvëluese e verës në Gaza. Jashtë spitalit, babai e përkundte të birin në krahët e tij, pa dashur e pa mundur t’i thoshte lamtumirë. Mizat silleshin e lëshoheshin në flokët e butë të fëmijës.

Paralajmërim: Fotografitë e mëposhtme shfaqin pamje të rënda kufome me shenja gjaku.

Deir Al-Balah, Rripi i Gazës, Associated Press

“Çfarë bëri gabim ai, Zoti im? Çfarë bëri gabim” – bërtiste Mahmoud Mikdad me zë të ngjirur e me fytyrë të kthyer nga qielli.

I biri i tij, Yaman, u vra nga një sulm ajror izraelit. Sulmet izraelite lanë të vrarë mbi 60 palestinezë në jug dhe qendër të Gazës nga nata e së hënës në të martën, sipas të dhënave të spitaleve dhe zyrtarëve shëndetësorë. Izraeli ka thënë se është duke ndjekur militantë të Hamasit që po fshihen mes civilëve, pasi ofensivat i çrrënjosën rrjetet e tuneleve nëntokësore.

Kishte qenë pasdite e zakonshme për Mikdad-in. I kishte vënë të bijën dhe të birin Yaman në gjumë në banesën ku po strehohej familja e zhvendosur.

Sulmi e vrau menjëherë djalin. Ende nuk kishte mbushur dy vjet jetë.

Babai e barti trupin e të birit nëpër pjesën qendrore të Gazës, nga kampi “Nuseirat” deri në spitalin “Martirët e Al-Aksës”, në Deir al-Balah. Këmbët e zbathura të Yamamit qëndronin varur jashtë një mbuloje të bardhë, të larë me gjak.

Mikdadi dhe dy të tjerë, njëri me kokën të lidhur me fashë, e përkëdhelnin dhe e puthnin trupin e djalit të vogël jashtë morgut. Fëmija në prehrin e tij ishte “më i çmuar se tërë bota”, i tha Mikdadi një fotoreporteri të agjencisë “Associated Press”. Ishte ulur duke u mbështetur për mur të spitalit për ca kohë dhe po qante.

Më vonë, rreth dhjetë burra e mbajtën ceremoninë e lutjeve para trupit të Yamamit të mbështjellë me një mbulojë të bardhë. Të pranishmit, disa prej tyre fëmijë, shikonin në heshtje.

Associated Press/Abdel Kereem Hana & Wafaa Shurafa/Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Fotografitë: Abdel Kereem Hana/AP

Lajme të ngjashme