Pamje: Ambasadori rus në OKB ballafaqohet me korrespondentin e “Sky News” për vrasjet në Bucha
Vasily Nebenzya, ambasador i Rusisë në Kombet e Bashkuara, u pyet diku në hapësirat e kësaj organizate nga korrespondenti i televizionit “Sky News” për ShBA-në, Mark Stone për dëshmitë që duket se shfaqin krime lufte në Bucha të Ukrainës.
Duke iu referuar pamjeve satelitore të varreve masive, ambasadori rus pretendoi: “Këto fotografi janë vetëm më 3 prill, ndërsa ne u larguam nga ai vend më 30 mars.”
Megjithatë, korrespondenti Stone i tha ambasadorit se pamjet satelitore tregojnë se trupat ishin aty, kur Rusia e kishte nën kontroll qytezën.
“Asgjë sot nuk mund të merret si e mirëqenë, në rregull?”, ia ktheu ambasadori.
Më pas ndërhyri zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy, i cili tha: “Dhe mos harro që videoja që Presidenti Zelensky e shfaqi sot është e rreme, lexoje Twitter-in tim.”
Korrespondenti e pyeti se pse është e rreme dhe se a nuk janë të vdekur njerëzit që shihen në pamje.
Zëvendësambasadori u përgjigj: “Njerëzit janë të vdekur, por ata janë qëlluar diku tjetër, ku nuk kishte trupa ruse. Kjo është shfaqur më parë. Lexoje internetin, lexoji përdoruesit.”
Për ta parë në video ballafaqimin e korresponentit të "Sky News" me ambasadorin dhe zëvendësambasadorin rus në OKB, klikoni KËTU.