Pallat përrallor, vreshta, vila e jahte – zbulohen asete të reja miliarda dollarëshe të lidhura me Putinin
Vladimir Putin është akuzuar vazhdimisht nga qeveritë perëndimore se ka grumbulluar një pasuri të madhe sekrete përmes një rrjeti oligarkësh dhe miqsh. Megjithatë, deri më tani kishte pak prova në letër që e lidhnin Putinin me diçka të tillë.
Por, tani është shfaqur një lidhje e mundshme. Një hetim nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe uebsajti i lajmeve Meduza ka identifikuar një grup prej 86 kompanish në dukje të palidhura ose organizata jofitimprurëse që duket se mbajnë mbi 4.5 miliardë dollarë asete, dhe të gjitha kanë një email të përbashkët në përdorim, LLCinvest.ru.
Asetet që duket se mbahen nga organizatat përfshijnë një sërë shtëpish luksoze, jahte dhe vreshta të lidhura më parë në raportet e mediave me presidentin e Rusisë. Ndërsa, kompania e telekomunikacionit së cilës i përket domeni në serverët e saj është e lidhur ngushtë me Bankën Rossiya, e përshkruar nga SHBA si "banka personale për zyrtarët e lartë të Federatës Ruse".
The Guardian raporton se, të kontaktuar për ndonjë shpjegim, asnjë nga individët ose subjektet e lidhura me emrin e domenit të postës elektronike nuk kishin dhënë koment. Por një zëdhënës i Kremlinit lidhur me çështjen ka thënë se: "Presidenti i Federatës Ruse nuk është i lidhur në asnjë mënyrë me asetet dhe organizatat e përmendura".
Na vazhdim janë asetet e e zbuluara nga hetimi.

Pallati te Deti i Zi
Për këtë pallat me vlerë 1 miliard funte, Alexei Navalny pretendon se është ndërtuar për përdorim personal të Putinit në Gelendzhik, në Detin e Zi. Megjithatë, oligarku miliarder Arkady Rotenberg, i cili është nën sanksionet e BE-së dhe SHBA-së, ka pretenduar të jetë pronari. Të dhënat e korporatave të mbajtura nga baza e të dhënave Spark në Rusi deklaruan se që nga qershori prona i përket një firme të quajtur Kompleks, kompania mëmë e së cilës është Binom. Ndërsa, duket se drejtori i kompanisë në Binom deri në korrik të vitit të kaluar kishte një domen të regjistruar të emailit LLCInvest.ru. Kjo adresë është e cituar në Spark si kontakt.

Vreshtat afër Detit të Zi
Navalny ka pohuar se kantinat e verës ishin një "hobi" i Putinit që kishte dalë jashtë kontrollit. Ndërsa, është zbuluar se vreshtat përreth pallatit i përkasin një organizate jofitimprurëse të themeluar nga dy bashkëpunëtorë të Putinit, Genadi Timchenko dhe Vladimir Kolbin, të cilët janë gjithashtu nën sanksionet perëndimore. Kolbin dhe të tjerët që lidhen me vreshtat po ashtu kanë llogari të emailit të LLCInvest.ru.

Resorti i sikjimit Igora
Resorti Igora në rajonin e Leningradit, është vendi ku u zhvillua dasma e vajzës së Putinit në vitin 2013. Sipas të dhënave, ai është në pronësi të Ozon, një kompani në të cilën miku i Putinit, kryetari dhe aksioneri më i madh i Bankës Rossiya, Yuri Kovalchuk, i cili është nën sanksione perëndimore, ka aksione të mëdha. Edhe në këtë resort është e njejta llogari emaili.

Kasollja e Peshkatarit
Në brigjet e liqenit Ladoga pranë ishullit Valaam ndodhet një vend i njohur si Kasolle e Peshkatarit e cila lidhet me Putinin. Emailet e rrjedhura nga një kompani ndërtimi sugjerojnë se tre kompani të ndryshme që duket se përdorin emrin e domenit LLCInvest zotërojnë parcela të ndryshme toke përreth kompleksit, ndërsa një ent i katërt LLCInvest - një organizatë jofitimprurëse e quajtur Ringjallja e Traditave Detare - kishte menaxhuar ndërtimin e saj.

Vila Sellgren
Një vilë në veri të Shën Petersburgut, e njohur nga vendasit si ‘Daça e Putinit’. Villa Sellgren, në Gjirin e Finlandës pranë ishullit Lodochny, është në pronësi të Sergey Rudnov, djalit të një miku fëmijërie të presidentit rus, përmes një kompanie të quajtur North. Duket se edhe Rudnov ka një adresë emaili LLCinvest.ru në emrin e tij.

Jahti Shellest
Ky jaht 46 metra, me vlerë 23 milionë dollarë, me pesë kuverta dhe 10 dhoma gjumi, u ndërtua në vitin 2015 nga Sanlorenzo, një ndërtues anijesh luksoze italiane. Sipas sajtit të gjurmimit të anijeve MarineTraffic, Shellest shpesh udhëton midis Gelendzhik, qytetit turistik pranë pallatit të Putinit në Detin e Zi, dhe portit të Soçit. Jahti është në pronësi të një organizate jofitimprurëse të quajtur Revival of Maritime Traditions dhe është identifikuar nga Thesari i SHBA-së si e lidhur me Putinin.