Palestinezët thonë se Izraeli bombardoi një shkollë që shërbente si strehimore dhe la 15 të vrarë - NACIONALE

Palestinezët thonë se Izraeli bombardoi një shkollë që shërbente si strehimore dhe la 15 të vrarë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Palestinezët raportuan për një sulm vdekjeprurës izraelit në një shkollë në zonën e qytetit Gaza që shërbente si strehimore të shtunën, përderisa sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, pritej t’i dëgjonte kërkesat e vendeve arabe për armëpushim gjatë një takimi në Jordani.

Dëshmitarët thanë se nga sulmi izraelit u godit shkolla “Al-Fakhoura” në kampin e refugjatëve në Jabalia, duke vrarë e plagosur shumë prej personave të zhvendosur që ishin strehuar aty.

Mohammad Abu Selmeyah, drejtor i spitalit “Al-Shifa”, tha se të paktën 15 persona vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u palgsoën në sulmin ndaj shkollës, raporton agjencia “Reuters”.

“Njerëzit ishin duke e përgatitur mëngjesin, kur bombardimi filloi papritmas. I gjeta dy vajzat e mia, njëra nga to ishte martirizuar dhe koka i ishte goditur, tjetra ishte plagosur në këmbë... edhe vajza tjetër ishte plagosur me copëza predhash”- tha një burrë në një video të siguruar nga agjencia “Reuters”.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se dy gra u vranë nga një sulm tjetër izraelit me raketë në derën e Spitalit të Fëmijëve “Nasser”, ndërsa disa persona të tjerë u lënduan.

Ushtria izraelite nuk dha menjëherë ndonjë koment për asnjërin prej sulmeve të raportuara dhe agjencia “Reuters” nuk mundi të vërtetonte menjëherë më shumë hollësi.

Disa orë më parë, zyrtarët shëndetësorë në Gazë kishin thënë se 15 persona ishin vrarë nga një sulm ajror izraelit ndaj një autoambulance të premten në mbrëmje, që ishte pjesë e një autokolone që po bartte palestinezë të lënduar për në spitalin më të madh të Gazës, “Al-Shifa”.

Ushtria izraelite tha se kishte identifikuar dhe goditur një autoambulancë “që po përdorej nga një celulë terroriste e Hamasit” dhe se një numër i luftëtarëve të këtij grupi u vranë.

Sidoqoftë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza e sfidoi Izraelin që të ofronte dëshmi se autoambulanca po transportonte militantë. Izraeli tha se synon që të publikojë të dhëna shtesë.

Lajme të ngjashme