Pa rrymë, pa ujë e pa internet, në Khersonin e sapoçliruar mbizotëron euforia - NACIONALE

Pa rrymë, pa ujë e pa internet, në Khersonin e sapoçliruar mbizotëron euforia

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Për tetë muaj, banorët e qytetit ukrainas Kherson jetuan nën okupimin brutal rus, por ditën e premte ndërsa forcat ruse po tërhiqeshin, forcat ukrainase hynë në qytet.

Edhe pse qyteti tashmë i çliruar është pa ujë, rrymë apo internet, një ekip i CNN që ka vizituar vendin tregon për një gjendje shpirtërore euforike.

Nga CNN, tregojnë se në lokacione të ndryshme të qytetit ishin mbledhur turma, disa duke kënduar himnin kombëtar, e disa duke bërtitur “Slava Ukrayini” (lavdi Ukrainës).

Bëhet e ditur se vendasit gjithashtu ishin duke u ngjitur në majë të ndërtesave për të ngritur flamuj ukrainas, ndërsa ushtarët që kalonin nëpër rrugë përshëndeteshin më brohoritje nga banorët.

Duke folur për muajt nën pushtim, disa nga banorët kanë treguar se në fillim të luftës ata ishin munduar të rezistonin, por shumë njerëz ishin torturuar e disa edhe ishin zhdukur.

“Ne ishim të tmerruar nga ushtria ruse, ishim të tmerruar nga ushtarët që mund të vinin në çdo moment në shtëpinë tonë – thjesht hapnin derën, sikur ata jetojnë këtu dhe vidhnin, rrëmbenin, torturonin,” ka thënë për CNN banorja Olga.

Megjithatë, tani gjërat kanë ndryshuar, njerëzit janë dyndur nëpër sheshe duke kënduar e festuar për çlirimin.

Banorët janë shprehur duke e cilësuar të premten si “ditën më të mirë të jetës”, e të lumtur që shihnin ushtarë ukrainas brenda qytetit.

Një ushtar i Forcave Speciale të Ukrainës, ka treguar se njësia e tij ishte e para që kishte mbërritur në Kherson.

“Ishte një shpërthim i vërtetë për ne, më në fund. Para 11 nëntorit, ishin pesë ditë pune, punë vërtetë të vështira. Ushtarët ukrainas, si gjithmonë, sapo konfirmuan sërish se janë më të fortë se rusët”, është shprehur ai.

Më tej ai ka shtuar se në fakt, civilët në Kherson janë heronjtë e vërtetë, që kanë rezistuar për një kohë të gjatë nën pushtimin rus.

Kujtojmë se të premten, Rusia njoftoi se ishte tërhequr nga bregu perëndimor i lumit Dnipro në rajonin strategjik jugor të Khersonit, duke ua lënë kryeqytetin rajonal me të njëjtin emër dhe zonat përreth ukrainasve.

Kjo tërheqje përfaqëson një goditje të madhe për përpjekjet luftarake të Putinit në Ukrainë, pasi Kherson ishte i vetmi kryeqytet rajonal ukrainas që forcat ruse kishin kapur që nga pushtimi në fillim të shkurtit.

Tërheqja e tyre në lindje përtej Dnipro-s lëshon sipërfaqe të mëdha toke që Rusia ka pushtuar që në ditët e para të luftës dhe që Putini e kishte shpallur zyrtarisht si territor rus vetëm pesë javë më parë.

Edhe pse është ende e paqartë nëse të gjitha trupat ruse janë larguar nga Kherson, Serhiy Khlan, një anëtar i këshillit rajonal të qytetit, ka thënë se Kherson është "pothuajse nën kontrollin e Forcave të Armatosura të Ukrainës", duke paralajmëruar se disa trupa ruse mund të kenë mbetur prapa me veshje civile.

Ai ka shtuar se shumë trupa ruse “kanë hedhur uniformat e tyre ushtarake dhe po fshihen me rroba civile”.

Lajme të ngjashme