Khersoni, humbja më e madhe ruse që prej tërheqjes nga Kievi - NACIONALE

Khersoni, humbja më e madhe ruse që prej tërheqjes nga Kievi

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Rikthimi i plotë i Khersonit në duart e Ukrainës, gjë që tani duket vetëm çështje kohe, do të përfaqësojë një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm në një luftë që tashmë ka hyrë në muajin e nëntë.

BBC shkruan se, humbja e Khersonit është në të njëjtin nivel me tërheqjen poshtëruese të Rusisë nga pozicionet e saj jashtë kryeqytetit Kiev në fillim të vitit dhe përbën një ndryshim mahnitës tre-mujor të fatit për ukrainasit.

Tërheqja nga Kherson, tregon se për muaj të tërë asgjë nuk ka shkuar mirë për Rusinë. Ata kanë humbur zona të mëdha territori në lindje, flota e tyre në Detin e Zi është fundosur dhe një urë kyçe nga Rusia për në Krime vazhdon të jetë jofunksionale.

Ndërsa tani, forcat ruse janë detyruar të braktisin edhe kryeqytetin e vetëm provincial që arritën të kapin që nga pushtimi në shkurt.

Ky duket të jetë kulmi i një sekuence lëvizjesh ushtarake ukrainase të organizuara me kujdes, e cila filloi në korrik kur forcat ukrainase, duke përdorur sistemet e raketave amerikane Himars, sulmuan urat kryesore që lidhin forcat ruse në dhe rreth Khersonit me linjat e tyre të furnizimit në lindje dhe jug.

Pas një izolimi që iu bënë frocave ruse duke bindur Moskën se edhe Khersoni do të sulmohej, Kievi nisi ofensivën në veri-lindje rreth Kharkivit, duke e zënë Moskën plotësisht në befasi.

Megjithatë, çmimi i madh ishte Khersoni ku duket se festimet jane duke vazhduar edhe në këto momente me njerëz në rrugë duke brohoritur "ZSU", inicialet e forcave të armatosura ukrainase.

Pavarësisht pretendimit të Putinit pas referendumeve të orkestruara, se Kherson do të ishte “përgjithmonë” Rusi, situata ushtarake për forcat e tij në perëndim të lumit Dnipro u bë gjithnjë e më e pasigurt.

Tani, në heshtje dhe kryesisht gjatë natës ka filluar edhe tërheqja e Rusisë nga ky qytet.

Megjithatë, lumi Dnipro është një linjë e madhe mbrojtëse natyrore, pothuajse pa pikë kalimi të qëndrueshme. E me afrimin e dimrit, ka shumë kuptim ushtarak që trupat e demoralizuara ruse ta përdorin atë si mburojë kundër përparimeve të mëtejshme të Ukrainës.

Imazhe të ndryshme satelitore kanë treguar llogore të sapo përgatitura përgjatë bregut lindor të lumit, si dhe pozicione të reja të fortifikuara në pikat kyçe të kalimit në Krime, prandaj zyrtarët në Kiev vazhdojnë të duken të kujdesshëm.

Sipas inteligjencës ukrainase, në Kherson mund të jenë ende mijëra trupa ruse të gatshëm për luftë, pastaj ekziston edhe frika ndaj minave dhe kurtheve të ndryshme që mund të jenë përgatitur.

E këto frika do të realizohen apo zhduken në orët në vijim, pasi beteja për Khersonin pothuajse ka përfunduar.

Lajme të ngjashme