Organizata amerikane WCK thotë se shtatë punëtorë i janë vrarë nga Izraeli në Gaza - NACIONALE

Organizata amerikane WCK thotë se shtatë punëtorë i janë vrarë nga Izraeli në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Organizata humanitare me seli qendrore në ShBA, Kuzhina Qendrore Botërore, ka thënë se shtatë punëtorë të saj i janë vrarë nga një sul ushtarak izraelit në Gaza.

Përmes një deklarate të publikuar në uebfaqen e vet, organizata tha se shtatë punëtorët e vrarë ishin nga Australia, Polonia, Britania, një me shtetësi të dyfishtë të ShBA-së e Kanadasë dhe një nga Palestina, raporton gazeta “The Guardian”.

Shefja ekzekutive e organizatës, Ein Gore, tha se ekipi i saj ishte “duke udhëtuar në një zonë të dekonfliktizuar në dy vetura të blinduara me logon e Kuzhinës Qendrore Botërore dhe një automjet të pablinduar”.

“Pavarësisht bashkërendimit të lëvizjeve me Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, autokolona u godit përderisa po largohej nga depoja në Deir al-Balah, ku ekipi kishte shkarkuar më shumë se 100 tonë ndihma ushqimore humanitare të sjella në Gaza përmes rrugës detare” – shtoi ajo.

Më tej, zonja Gore tha: “Ky nuk është vetëm sulm kundër Kuzhinës Qendrore Botërore, ky është sulm ndaj organizatave humanitare që po shfaqen në situatat më të llahtarshme ku ushqimi po përdoret si armë lufte. Kjo është e pafalshme.”

Në anën tjetër, ushtria izraelite tha se ishte duke kryer një “rishikim të plotë” të asaj që ka ndodhur.

Kuzhina Qendrore Botërore tha se do t’i pauzojë menjëherë operacionet e veta në rajon. “Ne do të marrim vendime për të ardhmen e punës sonë së shpejti” – thuhet në një deklaratë të organizatës.

Lajme të ngjashme