Organet e ushtarit izraelit që vdiq të mërkurën u transplantohen katër pacientëve - NACIONALE

Organet e ushtarit izraelit që vdiq të mërkurën u transplantohen katër pacientëve

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Qendra Kombëtare e Transplantimit në Izrael ka thënë se familja e ushtarit që vdiq të mërkurën, Rreshter Alemnew Emanuel Feleke, 22 vjeç, i ka dhuruar organet e tij për t’ua shpëtuar jetën personave të tjerë.

Feleke ishte plagosur të martën gjatë luftimeve në jug të Gazës, por nuk u mbijetoi plagëve një ditë më pas. Pavarësisht nga përpjekjet e stafit mjekësor për t’ia shpëtuar jetën, ata u detyruan që ta shpallnin ushtarin pacient me tru të vdekur, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Zemra dhe mushkëritë e tij iu transplantuan një pacienti në spitalin “Beilinson”. Mosha dhe gjinia e këtij pacienti nuk u zbuluan.

Mëlçia e ushtarit të rënë iu transplantua një gruaje 53-vjeçare, gjithashtu në spitalin “Beilinson”.

Njëra nga veshkat dhe pankerasi i ushtarit iu transplantuan një gruaje 45-vjeçare në spitalin “Ichilov”, ndërsa veshka tjetër iu vendos një burri 58-vjeçar në spitalin “Hadassah Ein Kerem”.

Vëllai i ushtarit, Noam, tha se vendimi i familjes për t’I dhuruar organet ishte mënyrë e vazhdimit të shpirtit të tij dhurues.

Familja e Felekes ishte vendosur në Izrael nga Etiopia në vitin 2004. Sipas vëllait të tij, Feleke kishte dashur që të rekrutohej në Brigadën e Komandos, por fillimisht nuk e kishte arritur këtë. Ai ishte pranuar në grupin e parashutistëve, ndërsa kur kishte provuar përsëri, ishte pranuar në Brigadën e Komandos, duke u bërë pjesë e njësisë elitare, “Duvdevan”.

Noami dhe pjesa tjetër e familjes thanë se janë të sigurt që i afërmi i tyre do të pajtohej për dhurimin e organeve të tij.

Lajme të ngjashme