Opozitari izraelit thotë se Izraeli po vret foshnja në Gaza “si hobi”: Rrezikojmë të bëhemi si Afrika e Jugut - NACIONALE

Opozitari izraelit thotë se Izraeli po vret foshnja në Gaza “si hobi”: Rrezikojmë të bëhemi si Afrika e Jugut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Opozitari majtist izraelit, Yair Golan, u ballafaqua me shumë reagime të martën nga mbarë spektri politik në vend, pasi e akuzoi Izraelin se po vret foshnja “si hobi” në Gaza.

Golani, ish-nënkomandant i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite dhe tani kryetar i partisë Demokratët, tha në një intervistë në televizionin publik “Kan TV” se “Izraeli është rrugës për t’u bërë shtet i përjashtuar, siç ishte Afrika e Jugut, nëse nuk i kthehemi veprimit si vend normal”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Udhëheqësi politik, i cili aktualisht nuk është deputet në Knesset, shtoi se “një shtet normal nuk lufton kundër civilëve, nuk vret foshnja si hobi dhe nuk ia vë vetes qëllimin që të dëbojë popullsi”.

Golani e akuzoi Qeverinë e Izraelit se është “plot me lloje hakmarrëse pa moral e pa aftësi që të drejtojnë një shtet në një kohë krize”. “Kjo e rrezikon ekzistencën tonë” – shtoi ai.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, reagoi kundër këtyre komenteve, duke i cilësuar “nxitje e egër” dhe gënjeshtër.

“Forcat e Mbrojtjes të Izraelit janë ushtria më e moralshme në botë dhe ushtarët tanë janë duke luftuar në një luftë për ekzistencën tonë” – tha Netanyahu.

Për komentet e Golanit reagoi edhe komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir, i cili të martën tha se “dënon fuqishëm çfarëdo deklarate që hedh dyshime mbi integritetin etik të operacioneve të ushtrisë izraelite dhe moralit të ushtarëve të saj”.

Golani u pensionua nga ushtria më 2018 pas 38 vjetëve shërbim ushtarak aktiv. Ai hyri në politikë në vitin 2019./Nacionale

Lajme të ngjashme