OPEC-u pajtohet për ta pakësuar eksportin, paralajmërohet shtrenjtim i karburanteve
Disa nga shtetet që prodhojnë më së shumti naftë në botë janë pajtuar që ta zvogëlojnë sasinë që e eksportojnë. Ky vendim pritet që ta rrisë çmimin e karburanteve në botë.
Anëtarët e organizatës OPEC+ - grup ku bëjnë pjesë Arabia Saudite e Rusia – thanë se do ta zvogëlojnë prodhimin për dy milionë fuçi në ditë, raporton televizioni BBC.
Ky grup tha se dëshiron që t’i stabilizojë çmimet, të cilat kanë rënë në muajt e fundit me ngadalësimin e zhvillimit ekonomik global. Sidoqoftë, ky vendim ka shkaktuar shqetësim se do të rriten çmimet për drejtuesit e automjeteve.
Pritjet që vendet të prodhojnë më pak karburante tashmë kanë shkaktuar rritje çmimesh këtë javë. Çmimi i një fuçi nafte të papërpunuar në bursën “Brent” u rrit për gati 2 për qind të mërkurën.
Një zëdhënës i grupit vëzhgues, RAC, tha se zvogëlimi i prodhimit në mënyrë të pashmangshme do të çojë te çmimet më të larta. “Pyetja është kur dhe në çfarë shkalle shitësit me pakicë zgjedhin që t’i kalojnë këto kosto të ngritura në oborret e tyre”, tha zëdhënësi Simon Williams.
Pakësimi i prodhimit, i njoftuar nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Karburanteve dhe aleatët e saj e shënon zvogëlimin më të madh nga ky grup që nga kulmi i pandemisë më 2020.
Vendimi erdhi pavarësisht nga thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve për prodhim më të lartë, pasi çmimet e karburanteve u rritën këtë pranverë, kur lufta në Ukrainë i pengoi furnizimet.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan, Joe Biden, është “i zhgënjyer nga vendimi shkurtpamës”.
Shtetet e Bashkuara u zotuan që ta vazhdojnë lëshimin e karburanteve nga rezervat kombëtare dhe të kërkojnë mënyra të tjera për t’i mbajtur nën kontroll çmimet në pompa, që janë çështje kyçe për votuesit amerikanë në zgjedhjet e mesit të mandatit, që pritet të mbahen në nëntor.
Ky vendim gjithashtu pritet t’i pengojë përpjekjet e udhëhequra nga ShBA-ja për t’i vënë kufi çmimit të naftës ruse. Sipas ShBA-së, ky plan mund të jetë mënyrë për t’i kufizuar të hollat që i shkojnë Rusisë dhe që përdoren për qëllime ushtarake.
Vendet anëtare të OPEC-ut e mbrojtën vendimin e tyre për pakësimin e prodhimit si përgjigje ndaj “paqartësisë” së konsiderueshme për kërkesën për karburante në të ardhmen për shkak të frikës se ekonomia globale është nisur drejt recesionit.
“Vendimi është teknik, jo politik”, tha para gazetarëve ministri i Energjisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, Suhail al-Mazroui, kur përfaqësuesit e vendeve të OPEC-ut u mblodhën në Vjenë për ta diskutuar këtë plan./Nacionale
