OKB-ja: Këngëtari “The Weeknd” ka ndarë 2,5 milionë dollarë për katër milionë shujta për Gazën - NACIONALE

OKB-ja: Këngëtari “The Weeknd” ka ndarë 2,5 milionë dollarë për katër milionë shujta për Gazën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Artisti i famshëm kanadez me prejardhje etiopiane, Abel Tesfaye, i njohur me emrin artistik “The Weeknd”, do të ofrojë katër milionë shujta për Gazën përmes Programit Botëror të Ushqimit, organizatë që është pjesë e OKB-së, njoftoi të premten ky institucion.

Tesfaye, i cili është edhe ambasador i vullnetit të mirë i OKB-së, ka ndarë 2,5 milionë dollarë nga Fondi Humanitar XO i tij për aktivitete humanitare të Programit Botëror të Ushqimit në Gaza, thuhet në deklaratë, raporton televizioni CNN.

Sipas deklaratës, ky donacion është i barabartë me katër milionë shujta urgjente, me të cilat mund të ushqehen 173 mijë palestinezë për dy javë.

Corinne Fleischer, drejtoreshë rajonale e Programit Botëror të Ushqimit, e falënderoi këngëtarin për kontributin e tij duke thënë: “Ne shpresojmë se edhe të tjerët do ta ndjekin shembullin e Abelit dhe t’i përkrahin përpjekjet tona.”

Programi Botëror i Ushqimit tha se mbi një milion palestinezë në Gaza janë “buzë vdekjes nga uria”, duke shtuar se që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor, “një katastrofë humanitare përtej njehsimit” ka filluar.

Tesfaye është ambasador i vullnetit të mirë i OKB-së që nga viti 2021. Deri më tani, në Fondin Humanitar XO, që ishte themeluar në bashkëpunim me Programin Botëror të Ushqimit në ShBA, janë grumbulluar pesë milionë dollarë.

Pjesa e parë, 2,5 milionë dollarë, ishin ndarë për ndihma urgjente ushqimore për gra e fëmijë në Etiopi, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet për Gazën, thuhet në deklaratë.

Lajme të ngjashme