OKB-ja dënoi aneksimin e rajoneve të Ukrainës nga Putin, edhe Serbia votoi për dënim - NACIONALE

OKB-ja dënoi aneksimin e rajoneve të Ukrainës nga Putin, edhe Serbia votoi për dënim

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dënoi përpjekjen e Rusisë për të aneksuar ilegalisht katër rajone pjesërisht të okupuara ukrainase dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve që të mos i njohin ato.

Tre të katërtat e Asamblesë së Përgjithshme, gjithsej 143 vende, votuan pro rezolutës, e cila gjithashtu afirmon sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Vetëm katër vende iu bashkuan Rusisë në votimin kundër rezolutës - Siria, Nikaragua, Koreja e Veriut dhe Bjellorusia. Serbia, një vend që tradicionalisht mbështet Rusinë, votoi gjithashtu për të dënuar aneksimin rus.

35 vende të tjera abstenuan nga votimi, duke përfshirë partnerin strategjik të Rusisë Kinën, ndërsa pjesa tjetër nuk votoi.

Javën e kaluar, Vladimir Putin nënshkroi ligje për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës në Rusi, duke përfunduar kështu aneksimin e territoreve të okupuara të Ukrainës pavarësisht protestave nga e gjithë bota.

Aneksimi pasoi të ashtuquajturat "Referendume" në Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, të cilat Ukraina dhe Perëndimi i hodhën poshtë si të rreme.

Së bashku me Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014, pretendimi total i Putinit arrin në më shumë se 22% të territorit të Ukrainës, megjithëse kufijtë e saktë të katër rajoneve që ai po anekson ende nuk janë sqaruar përfundimisht. /Nacionale/

Lajme të ngjashme