OBSh-ja paralajmëron për katastrofë të shëndetit publik në Gazë - NACIONALE

OBSh-ja paralajmëron për katastrofë të shëndetit publik në Gazë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se një katastrofë e shëndetit publik ka gjasa që të ndodhë së shpejti në Gazë për shkak të grumbullimit të njerëzve, zhvendosjes masive e dëmeve ndaj ujit e infrastrukturës sanitare.

Zëdhënësi i OBSh-së, Christian Lindmeier, paralajmëroi për rrezikun e vdekjes së civilëve që nuk lidhen drejtpërdrejt me bombardimet e Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.

“Është një katastrofë e afërt e shëndetit publik që po shpaloset me zhvendosjen masive, grumbullimin, dëmin ndaj ujit e infrastrukturës sanitare”- tha para gazetarëve zyrtari i OBSh-së.

Kur u pyet nëse njerëzit po vdisnin nga ndërlikime të tjera, përpos atyre nga bombardimet, Lindmeier-i tha: “Po, vërtet.”

James Elder, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijët, paralajmëroi për rrezikun e vdekjes së foshnjave për shkak të dehidrimit, kur niveli i furnizimit me ujë është vetëm 5 për qind e sasisë normale.

“Pra, vdekjet e fëmijëve nga dehidrimi, sidomos vdekjet e foshnjave nga dehidrimi, janë rrezik në rritje”- tha ai, duke shtuar se fëmijët po sëmureshin nga pirja e ujit të kripur.

Sipas këtij zëdhënësi, rreth 940 fëmijë janë raportuar të zhdukur në Gazë dhe mendohet se disa prej tyre kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja.

Zyra humanitare e OKB-së tha në një deklaratë të publikuar më herët të martën se furnizimi me ujë në jug të Gazës u ndërpre të hënën “për arsye të panjohura”.

Lajme të ngjashme