NYT: Izraeli e llogariti shumë keq ashpërsinë e kundërpërgjigjes së Iranit - NACIONALE

NYT: Izraeli e llogariti shumë keq ashpërsinë e kundërpërgjigjes së Iranit

1 javë më parë

nga NACIONALE

Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, raporton se zyrtarët izraelitë kishin bërë përllogaritje të gabuar të ashpërsisë së kundërpërgjigjes së Iranit ndaj sulmit të 1 prillit ndaj një ndërtese në Damask, ku u vranë disa komandantë të Rojave Revolucionare.

Izraelitët kishin bërë përllogaritje shumë të keqe, sipas disa zyrtarëve amerikanë që ishin të përfshirë në diskutime të nivelit të lartë pas sulmit, pikëpamje që ndahet edhe nga një zyrtar i lartë izraelit, raporton e përditshmja amerikane.

Dy gjeneralë ishin në mesin e të vrarëve në sulmin që besohet se u krye nga Izraeli ndaj objektit për të cilin Irani ka thënë se ishte ndërtesë e konsullatës në kryeqytetin sirian.

Gazeta amerikane raporton se disa zyrtarë të ShBA-së ishin të zemëruar, sepse ishin informuar vetëm disa minuta para se të kryhej sulmi në Damask dhe se nuk ishin në dijeni për peshën e këtij veprimi.

Dy zyrtarë izraelitë i thanë gazetës se planet për sulmin në Siri kishin nisur dy muaj para ekzekutimit të tij.

E përditshmja amerikane raporton se plani pastaj ishte miratuar nga kabineti i luftës i Izraelit më 22 mars.

Irani kreu sulm të pashembullt e të drejtpërdrejtë me raketa e dronë ndaj Izraelit para disa ditëve. Izraeli ka thënë se do të kundërpërgjigjet.

Eskalimi i tensioneve shkaktoi shqetësime në arenën ndërkombëtare për rrezikun e përhapjes së konfliktit në rajon dhe nxiti thirrje për vetëpërmbajtje.

Lajme të ngjashme