Norvegjia do të porosisë 54 tanke gjermane për të forcuar aftësitë e saj mbrojtëse
Qeveria norvegjeze ka njoftuar se vendi ka vendosur të porosisë 54 tanke gjermane Leopard 2 për të forcuar aftësitë e saj mbrojtëse.
Është bërë e ditur se tanket pritet të dorëzohen në vitin 2026, me një opsion për të blerë edhe 18 njësi të tjera shtesë.
“Tanket e reja kryesore luftarake kanë një rëndësi të madhe për Forcat e Armatosura, duke forcuar ndjeshëm ushtrinë. Në situatën e sotme të sigurisë, bashkëpunimi evropian i mbrojtjes po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm,”- ka thënë kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre në një konferencë të përbashkët për shtyp së bashku me disa prej ministrave të tij.
“Duke blerë tanke gjermane, ne sigurojmë që Norvegjia të ketë të njëjtin lloj tankesh si fqinjët tanë nordikë dhe aleatët tanë të ngushtë. Ne po krijojmë gjithashtu lidhje më të ngushta të politikës së sigurisë me Gjermaninë,”- ka shtuar ai.
Ndërkohë, ministri norvegjez i Mbrojtjes Bjørn Arild Gram, ka thënë se tanket janë gjithashtu qendrore në përmbushjen e detyrimeve të Norvegjisë ndaj NATO-s.
“Duke përmirësuar mbrojtjen tonë me pajisje moderne, ne e bëjmë NATO-n më të fortë, gjë që është parësore në situatën aktuale të sigurisë,”- është shprehur ai.
Sipas qeverise tanket që aktualisht posedon Norvergjia janë blerë në vitin 2001.
