Ushtria ruse do të tërhiqet edhe nga Khersoni
Ushtria ruse është urdhëruar të tërhiqet nga qyteti ukrainas Kherson, i vetmi kryeqytet rajonal i pushtuar që nga shkurti.
Sipas BBC-së, komandanti rus në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin ka thënë se nuk ishte më e mundur që të vazhdohej furnizimi i qytetit.
"Në këto rrethana, opsioni më i arsyeshëm është organizimi i mbrojtjes përgjatë një linje pengese përgjatë lumit Dnipro," është shprehur Surovikin.
Tërheqja do të thotë se forcat ruse do të tërhiqen tërësisht nga bregu perëndimor i lumit Dnipro, një goditje kjo mjaft e rëndë për Rusinë.
BBC shkruan se, kreu i ushtrisë ka njoftuar vendimin në televizionin shtetëror rus ndërkohë që ishte duke raportuar mbi situatën në Kherson.
Gjatë njoftimit për vendimin e tërheqjes, pjesëmarrës nuk ishte presidenti rus Vladimir Putin i cili vetë kishte njoftuar aneksimin e Khersonit dhe tre rajoneve të tjetra të pushtuara nga Rusia në fund të muajit shtator.
Kujtojmë se në fillim të shkurtit, forcat ruse mbuluan gjithë Ukrainën jugore, duke pushtuar fillimisht qytetin e Kherson në fillim të marsit.
E përkundër njoftimit për tërheqje, ukrainasit kanë thënë se kjo gjë duhet të trajtohet me kujdes.
"Veprimet flasin më shumë se fjalët," është shprehur këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak, i cili ka shtuar se “ne nuk shohim asnjë shenjë se Rusia po e lë luftën në Kherson”.
Ndërkohë, blogerët e luftës pro-Kremlinit ishin më pak të kujdesshëm, me disa të njohur që dënuan tërheqjen duke e cilësuar si një "faqe të zezë në historinë e ushtrisë ruse".
Kujtojmë edhe se, përpara tërheqjes Rusia zhvendosi mijëra civilë jashtë qytetit, në atë që Ukraina e dënoi si një deportim të detyruar.
Gjenerali Surovikin - më parë një komandant famëkeq i operacioneve të fundit të Rusisë në Siri, është emëruar për të marrë përsipër drejtimin e pushtimit rus në Ukrainë një muaj më parë.

