Një ushtar izraelit dyshohet se u vra nga shpërthimi i municionit të ushtrisë izraelite në Gaza
Një ushtar izraelit u vra nga një shpërthim që ndodhi në pjesën jugore të Gazës të hënën, njoftoi ushtria izraelite, përderisa trupat i nisën operacionet tokësore në zonën e qytetit Deir al-Balah për herë të parë që nga fillimi i luftës.
Ushtari i vrarë u identifikua si Rreshter Stafi Amit Cohen, 19 vjeç, nga Holoni. Ai ishte pjesëtar i Batalionit të 13-të të Brigadës “Golani”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Sipas një hetimi preliminar të ushtrisë, Cohen u vra nga një shpërthim i municioneve të ushtrisë izraelite që u aktivizuan brenda një ndërtese në qytetin Khan Younis.
Ushtria njoftoi se, përpos ushtarit të vrarë, një oficer i Batalionit të 13-të u plagos seriozisht në këtë rast. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se po e hetonin më tej shkaktarin e shpërthimit, përfshirë mundësinë e një “aksidenti operacional”.
Vdekja e Cohen-it e çoi në 455 numrin e përgjithshëm të ushtarëve izraelitë të vrarë gjatë ofensivës tokësore kundër Hamasit në Gaza dhe gjatë operacioneve ushtarake përgjatë kufirit me enklavën palestineze.
Më herët të hënën, mediat në Gaza raportuan se tanket izraelite lëvizën drejt distrikeve jugore e lindore të qytetit Deir al-Balah. Kjo zonë është ndër të paktat vende ku ushtria izraelite deri më tani nuk kishte operuar me trupa tokësore, sepse besonte që Hamasi ishte duke mbajtur pengje aty, edhe pse ka kryer sulme ajrore në qytet. Hamasi është zotuar se do t’i ekzekutojë pengjet, nëse ushtarët izraelitë u afrohen atyre.
Mjekët lokalë thanë se disa shtëpi e xhami në zonë u goditën nga predhat e tankeve dhe tre palestinezë u vranë e disa të tjerë u plagosën. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila drejtohet nga Hamasi, të hënën u vranë të paktën 130 palestinezë dhe mbi 1.000 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite në mbarë enklavën./Nacionale