Një i vrarë e 18 të plagosur nga sulmi me raketa në Kharkiv
Një person ka vdekur dhe 18 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me raketa në rajonin e Kharkiv-it, sipas zjarrfikësve ukrainas.
Ekipet e shpëtimit thanë se sulmi ndodhi në një treg të hapur më herët të shtunën, raporton “Sky News”.
Më herët u raportua se forcat ruse i kanë rifilluar sulmet në Kiev dhe në perëndim të Ukrainës pavarësisht përqendrimit të Kremlinit në një ofensivë të re në lindje.
E shokuar nga humbja e luftanijes “Moskva” dhe sulmeve të pretenduara ukrainase në territorin e Rusisë, komanda e ushtrisë ruse të premten paralajmëroi për sulme të reja në kryeqytetin ukrainas dhe tha se do t’i ketë në shënjestër qendrat ushtarake.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë pretendoi se forcat ruse kanë përdorur armë me rreze të gjatë veprimi e me saktësi të lartë për të vënë në shënjestër një fabrikë për prodhimin e automjeteve të blinduara në Kiev.
Ndërkohë guvernatori i rajonit Lviv, që shtrihet në perëndim të Ukrainës, ka raportuar për sulme ajrore nga aeroplanët rusë të tipit “Su-35”, të cilët, sipas tij, kanë ardhur nga hapësira ajrore e Bjellorusisë.