Një gazetar i agjencisë “Reuters” vritet në Liban nga sulmet nga drejtimi i Izraelit, gjashtë lëndohen
Një video-reporter i agjencisë “Reuters” u vra dhe gjashtë gazetarë të tjerë u lënduan në jug të Libanit të premten, kur raketat e hedhura nga drejtimi i Izraelit i goditën ata, sipas një incizuesi të kësaj agjencie në vendin e ngjarjes.
Grupi i gazetarëve, disa prej të cilëve punëtorë të agjencisë AFP e televizionit “Al Jazeera”, ishin duke punuar në Alma al-Shaab, afër kufirit me Izraelin, ku ushtria izraelite dhe grupi Hezbollah kanë shkëmbyer zjarr ditëve të fundit gjatë përleshjeve kufitare, raporton agjencia “Reuters”.
Kryeministri i Libanit, Najib Mikati, dhe një ligjvënës i Hezbollahut e fajësuan Izraelin për këtë incident.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment. Ambasadori i Izraelit në OKB, në një konferencë të premten tha: “Pa dyshim, ne kurrë nuk do të donim që të godasim apo të vrasim apo të qëllojmë asjë gazetar që është duke e bërë punën e vet, por, e dini, jemi në gjendje lufte, gjërat mund të ndodhin.” Ai shtoi se Izraeli do ta hetojë këtë rast.
Agjencia “Reuters” tha në një deklaratë se Issam Abdallah ishte vrarë gjatë ofrimit të një sinjali të drejtpërdrejtë për video për televizione. Kamera ishte vendosur në një majë kodre, kur një shpërthim i madh e kishte dridhur atë, duke e mbushur ajrin me tym, ndërsa ishin dëgjuar edhe bërtitje.
“Jemi thellësisht të pikëlluar që morëm vesh se videografi ynë, Issam Abdallah, është vrarë. Jemi duke kërkuar urgjentisht më shumë informata, duke punuar me autoritetet në rajon dhe duke i përkrahur familjen dhe kolegët e Issamit”- thuhet në deklaratën e agjencisë së njohur të lajmeve.
Dy gazetarë të tjerë të kësaj agjencie, Thaer Al-Sudani dhe Maher Nazeh, u plagosën në incident dhe u liruan nga spitali pas marrjes së kujdesit mjekësor, njoftoi “Reuters”-i.
Agjencia “Associated Press” dhe televizioni “Al Jazeera” thanë se predhat ishin izraelite, por agjencia “Reuters” nuk ka mundur të vërtetojë nëse ato ishin hedhur nga Izraeli. Agjencia AFP tha se dy gazetarë të saj janë plagosur.
Në një intervistë, nëna e gazetarit të vrarë, Fatima Kanso, e fajësoi Izraelin për vdekjen e djalit të saj. “Izraeli qëllimisht e vrau birin tim. Të gjithë kishin veshur rroba të gazetarëve dhe fjala “Media” ishte e dukshme. Izraeli nuk mund ta mohojë këtë krim”- tha ajo.