Një arab i armatosur vret të paktën pesë persona në Tel Aviv - NACIONALE

Një arab i armatosur vret të paktën pesë persona në Tel Aviv

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një arab i armatosur vrau të paktën pesë persona në periferi të Tel Avivit të martën para se të vritej nga forcat izraelite të sigurisë, tha shërbimi kombëtar ambulantor. Ky ishte sulmi i tretë vdekjeprurës në Izrael brenda një jave.

Ky sulm e çoi në 11 numrin e personave të vrarë nga arabët e armatosur në Izrael në javën e fundit, që është rritja më e madhe e sulmeve në rrugët e qytetit në vitet e fundit.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, e dënoi vrasjen e civilëve izraelitë dhe theksoi se vrasja e izraelitëve dhe e palestinezëve vetëm do të çojë në përkeqësimin e situatës, duke paralajmëruar kundër sulmeve hakmarrëse nga ardhësit hebrenj dhe të tjerët.

Sipas raportimeve të medieve izraelite, të cilat cituan zyrtarë të paidentifikuar izraelitë, sulmuesi ishte një palestinez nga një fshat afër qytetit Jenin, në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Policia izraelite tha se sulmuesi vrau katër civilë dhe një polic, i cili kishte arritur në vendin e ngjarjes para se forcat e sigurisë ta qëllonin për vdekje sulmuesin, shkruan "Reuters", përkthen "Nacionale".

Zyrtarët izraelitë paralajmëruan për rritje të numrit të sulmeve në ditët e ardhshme gjatë muajit prill, gjatë muajit të shenjtë për myslimanët, Ramazanit, periudhë në të cilën është shtuar dhuna në të kaluarën.

Vitin e kaluar, palestinezët u përleshën me policinë dhe ardhësit izraelitë gjatë Ramazanit. Bastisjet e policisë në xhaminë “Al-Aqsa” dhe ndalimi i tubimeve të mbrëmjes në Portën e Damaskut ndikuan në shtimin e dhunës mes Izraelit dhe militantëve të Gazës, që çuan në njërën prej përleshjeve më të përgjakshme të viteve të fundit, e cila zgjati 11 ditë.

Lajme të ngjashme