Nisin koncesionet, OKB-ja i ka ofruar një lëshim Rusisë për ta zgjatur marrëveshjen e drithit - NACIONALE

Nisin koncesionet, OKB-ja i ka ofruar një lëshim Rusisë për ta zgjatur marrëveshjen e drithit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka propozuar presidentit rus, Vladimir Putin, që ta zgjasë afatin e marrëveshjes për eksportimin e sigurt të drithit nga Ukraina nëpër Detin e Zi në këmbim të lidhjes së një banke vartëse të një banke bujqësore ruse me sistemin ndërkombëtar të pagesave, SWIFT, i kanë thënë agjencisë “Reuters” disa burime.

Rusia ka kërcënuar se nuk do ta vazhdojë afatin e marrëveshjes për eksportimin e drithit, i cili skadon të hënën, sepse, sipas saj, disa kërkesa për ta mundësuar eksportimin e drithit dhe plehrave të saj nuk janë plotësuar. Dy anijet e fundit që lundrojnë sipas marrëveshjes janë tash për tash duke u ngarkuar në portin ukrainas të Odesës para se marrëveshjes t’i skadojë afati.

Një kërkesë kyçe nga Moska është rilidhja e bankës bujqësore ruse, “Rosselkhozbank”, në rrjetin e pagesave ndërkombëtare, SWIFT. Ajo u shkëput nga ky sistem në qershorin e vitit të kaluar nga Bashkimi Evropian si pjesë e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë. Një zëdhënës i BE-së tha në maj të këtij viti se BE-ja nuk ishte duke e shqyrtuar kthimin e bankave ruse në sistemin e njohur të pagesave.

Megjithatë, BE-ja është duke e shqyrtuar lidhjen e një banke vartëse të bankës “Rosselkhozbank” për t’i lejuar transaksionet për drithë dhe plehra, i thanë të mërkurën agjencisë “Reuters” tri burime me njohuri për këto diskutime. Komisioni Evropian nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Guterresi i ka propozuar Putinit që Rusia ta lejojë vazhdimin e marrëveshjes për eksportimin e drithit për disa muaj, duke i dhënë kohë BE-së për ta lidhur bankën vartëse të bankës ruse në sistemin SWIFT, i kanë thënë agjencisë “Reuters” dy prej burimeve të afërta me këto diskutime.

“Qëllimi është largimi i pengesave që i prekin transaksionet financiare përmes Bankës Bujqësore Ruse, shqetësim i rëndësishëm i shprehur nga Federata Ruse, dhe që në mënyrë simultane të lejohet rrjedhja e drithit ukrainas përmes Detit të Zi”- u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Ai nuk dha hollësi të tjera të këtij propozimi, por shtoi se Guterresi ishte i angazhuar me të gjitha palët përkatëse për këtë çështje dhe se ishte i gatshëm për ta diskutuar më tej propozimin e tij me Rusinë.

Një zëdhënës i Kremlinit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Kombet e Bashkuara dhe Turqia ndërmjetësuan para një viti për arritjen e marrëveshjes për eksportimin e sigurt të drithit me Rusinë dhe Ukrainën me qëllim që të shmangej një krizë globale e ushqimit, e përkeqësuar pas fillimit të luftës e bllokimit të porteve ukrainase.

Lajme të ngjashme