Ngjarjet më të rëndësishme të ditës nga lufta Rusi-Ukrainë
Edhe dita 244 e luftës Rusi-Ukrainë, është shënuar me ngjarje të reja që nuk duket se do të sjellin një përfundim të shpejtë të konfliktit.
Në vazhdim gjeni të përmbledhura të gjitha zhvillimet kryesore nga dita e sotme.
- Ukraina ka thënë se pretendimet e vazhdueshme ruse se Kievi po planifikon të shpërthejë një “bombë të pistë”, mund të jenë sepse vetë Moska ka në plan të bëjë një operacion të tillë për ta fajësuar Ukrainën.
- Presidenti i ShBA-së Joe Biden ka thënë se Rusia do të bënte një “gabim serioz” nëse vendos një armë taktike bërthamore në Ukrainë. Komenti i tij erdhi pasi zyrtarët rusë po paralajmërojnë se Ukraina mund të përgatitet të përdorë një të ashtuquajtur “bombë të pistë” në fushën e betejës në Ukrainë - një pretendim që liderët perëndimorë e cilësuan menjëherë si të rremë.
- Një ditë më parë, rajoni i Donetskut u godit rëndë, me të paktën 15 sulme ruse duke lënë të vrarë shtatë civilë dhe duke plagosur tre të tjerë. Policia kombëtare ukrainase njoftoi se sulmet shkatërruan gjithashtu 19 ndërtesa banimi dhe një linjë elektrike.
- Autoritetet ukrainase kanë vlerësuar se forcat ruse kanë humbur gati 68,420 personel që nga fillimi i pushtimit.
- Pas ndërprerjeve të energjisë elektrike të shkaktuara nga bombardimet ruse, një ministre ukrainase ka kërkuar nga refugjatët që kanë ikur nga vendi që të mos kthehen në Ukrainë deri në pranverë.
- Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka thënë se asetet ruse dhe ato të oligarkëve rusë duhet të përdoren për rindërtimin e Ukrainës. “Ne duhet të sigurohemi që shkelësi të paguajë për rindërtimin. Rusia duhet t'i paguajë Ukrainës dëmet e luftës, dëmshpërblimet e luftës, " është shprehur Morawiecki në një konferencë në Berlin.
- Presidenti rus Vladimir Putin i është drejtuar një këshilli të ri koordinues të krijuar për të rritur mbështetjen për pushtimin e Ukrainës. Ai ka thënë se duhet të “përshpejtohet” marrja e një vendimin në lidhje me luftën.
- Grupi Progresiv i Kongresit të ShBA-së, ka tërhequr një letër të cilën i kishte dërguar Shtëpisë së Bardhë, ku kërkonte negociata me Rusinë për çështjen e Ukrainës.
- Ambasadori i Rusisë në institucionet ndërkombëtare në Vjenë, ka thënë për TASS, se Moska përgjithësisht është mbështetëse e idesë së krijimit të një zone të sigurt rreth termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia-s.
- Komisioni Evropian u bëri thirrje vendeve dhe kompanive të Bashkimit Evropian që të dhurojnë më shumë para dhe pajisje për të mbështetur sektorin e energjisë në Ukrainë, pas sulmeve ruse që kanë shkatërruarr 30-40% të sistemit.
- Lideri çeçen Ramzan Kadyrov, është shprehur “i pakënaqur” me sulmet ruse në Ukrainë. Ai u ka bërë thirrje forcave ruse që “të fshijnë nga faqja e dheut qytetet ukrainase”.


