Nga Mercedesi në fermë të pulave: Si u zhvillua hap pas hapi sulmi masiv në Serbi?
Urosh Bllazhiqi, 20 vjeç, vrau tetë persona dhe plagosi 13 të tjerë. Policia ka arritur që t’i rindërtojë lëvizjet e tij nga Mladenovac. I armatosur me një pushkë automatike dhe me municion, Bllazhiqi u largua në shtëpia e tij në fshatin Shepshin rreth orës 21 e 45 minuta.
Disa kilometra më larg, në Mali Orashje, atij i morën vëmendjen një zjarr në natyrë dhe një shushurimë. E ndali veturën dhe shkoi te një fushë futbolli, ku ndodhej zjarri dhe ku disa djem të rinj gjendeshin përreth tij, raporton mediumi “Novosti”.
“Sipas asaj që ne tani e dimë, për shkak të errësirës, ata nuk panë se ai ishte i armatosur dhe e ftuan që të bëhej bashkë me ta e të pinte birrë”- thotë një burim i afërt me hetimin e rastit.
Për shkak të ditëve të zisë, të shpallura për shkak të vrasjes së nxënësve në Beograd, të rinjtë kishin vendosur që ta festonin Ditën e Shën Gjergjit një ditë më herët. Megjithatë, sulmuesi iu afrua atyre dhe menjëherë filloi që t’i qëllonte me armë.
Pranë zjarrit u vranë pesë të rinj: Lazar Milovanoviq, 20 vjeç, Aleksandar Milovanoviq, 15 vjeç, Marko Mitroviq, 18 vjeç, Nemanja Stevanoviq, 21 vjeç, dhe Nikola Miliq, 15 vjeç. Të gjithë ishin shokë që nga fëmijëria dhe ishin rritur në Mali Orashje.
“Kur i vrau djemtë e rinj, ai u kthye në veturën “Mercedes” dhe vazhdoi tutje. U nis drejt fshatit Dubona. Në një moment, nën dritën e një llambe rruge, ai pa katër persona që ishin duke rregulluar një rrethojë. E ndali veturën përsëri dhe doli prej saj me armën “Kallashnikov” në duar”- shtoi burimi brenda organeve të hetuesisë.
Pa thënë asnjë fjalë, filloi të qëllonte në drejtim të atyre personave. Të katër burrat pësuan lëndime serioze, por janë ende gjallë. Krimineli nuk u ndal as aty. U kthye në veturë dhe e vazhdoi rrugën. Në qendrën e fshatit Dubona, në këndin e lodrave, dëgjoi një zhurmë.
“Kësaj radhe as nuk doli nga vetura. Doli nga rruga dhe u ndal. E nxori armën në dritaren e veturës dhe e shkrepi. Dyshohet se plumbi i parë e goditi Kristina Paniqin, e cila ishte ulur në një ulëse afër këndit të lodrave. Shoku i saj, Dalibor Todoroviq, 25 vjeç, ishte aty, gjithashtu"- e vazhdoi rrëfimin burimi i hetuesisë.
Afër tyre ishte vëllai i saj dy vjet më i madh, Milan Paniq, i cili, kur pa se çfarë ishte duke ndodhur, vrapoi drejt sulmuesit. Bllazhiqi e shkrepi pushkën dhe e vrau policin e ri. Kur Milani ra, krimineli vazhdoi që të sulmonte me armë. Plumbat u shpërndanë në të gjitha drejtimet dhe ai plagosi disa njerëz të tjerë.
Më pas, i riu kthehet në veturë dhe fillon që të kthehet në fshatin e vet, Shepshin. Ndërkohë policia ishte informuar për sulmin ndaj njerëzve të pafajshëm.
Forcat e sigurisë shpejt shkuan drejt Mladenovacit, por askush në atë moment nuk e dinte nivelin e tragjedisë.
Policia filloi që ta kërkonte vrasësin, por ai kishte ikur. Informata e parë ishte se sulmuesi ishte ngujuar në shtëpinë e vet në Shepshin. Patrullat policore, të mbështetura nga anëtarët e Njësitit Special Anti-terrorist (SAJ), Xhandarmëria dhe Njësiti Intervenues i Policisë së Beogradit e filluan operacionin e kërkimit.
“Ai nuk ishte në shtëpinë e tij dhe informata e ardhshme që e morëm ishte se sulmuesi ishte duke u fshehur në një pyll të vogël afër Mali Pozharevacit”- thotë burimi. “Njerëzit raportuan se ai po i ndërronte veturat, se nga “Mercedesi” kishte kaluar në një BMW, pastaj në një “Golf”... Dronët u ngritën në qiell në mënyrë që terreni të mund të vëzhgohej pa i rrezikuar njerëzit. U sollën edhe qentë e policisë... Ne dinim se ai ishte i armatosur dhe i rrezikshëm”- shtoi ai.
Për t’i mbrojtur njerëzit, por edhe për ta parandaluar vrasjen e njerëzve të tjerë, policia filloi që ta vëzhgonte zonën me kamera termale, të cilat reagojnë ndaj ngrohtësisë. Operacioni ishte duke vazhduar qe disa orë. Në një moment, megjithatë, gjithçka u ndërpre. Nuk kishte informata të reja.
“Papritmas pranuam një thirrje, e cila e ndryshoi drejtimin e hetimit. Telefonoi një taksist, e cili e njihte vrasësin. Ai tha se Bllazhiqi e ndali atë me forcë afër Mali Pozharevacit. Në atë vend jetojnë gjyshi dhe daja i sulmuesit. Ata kanë një fermë pulash. Ai u fsheh aty. U arrestuan ai dhe të afërmit që i ofruan strehim. U gjet pas tetë orëve kërkim, rreth 60 kilometra larg vendit ku kishte vrarë njerëz. Kur policia e pyeti pse e bëri këtë, ai u përgjigj shkurt: “Ata më nënçmuan mua”- tha burimi.
Meritat për arrestimin e sulmuesit i janë dhënë taksistit nga Smedereva. Gjatë operacionit të kërkimit, policia gjetu 250 plumba dhe një pushkë automatike pa numër serik në pronën e gjyshit dhe dajës së tij. Edhe ata u arrestuan.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli



