Arrestohet sulmuesi i dyshuar i sulmit të ri masiv në Serbi, i gjendet një arsenal armësh në shtëpi - NACIONALE

Arrestohet sulmuesi i dyshuar i sulmit të ri masiv në Serbi, i gjendet një arsenal armësh në shtëpi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Raportohet se sulmuesi i dyshuar serb, një i ri 21-vjeçar, i cili dyshohet për vrasjen e tetë personave dhe plagosjen e 13 të tjerëve, është arrestuar në qytetin Kragujevac pas një operacioni të gjerë kërkimi.

Të gjitha njësitet speciale të forcave të Ministrisë së Brendshme kishin dalë në terren, përfshirë forcat SAJ, Xhandarmëria, Njësiti i Helikopterëve, si dhe dronët me kamera për pamje termale, raporton mediumi “Tanjug”.

Më shumë se 600 pjesëtarë të forcave të sigurisë morën pjesë në operacionin e kërkimit për sulmuesin e dyshuar.

Ministria e Punëve të Brendshme e ka cilësuar rastin si sulm terrorist.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiq, është në terren me forcat e policisë. Siç merret vesh jozyrtarisht, viktimat e para ishin pas një zënke të sulmuesit të dyshuar me disa persona. Pastaj, raportohet se ai shkoi në shtëpi dhe u kthye me një armë automatike.

Policia bëri një kërkim në shtëpinë e të dyshuarit, ku gjeti sasi të madhe të armëve dhe municionit.

I dyshuari ka të kaluar kriminale në lidhje me shkeljen e Ligjit për Armët dhe Municionin. Në mesin e tetë të vrarëve janë një polic i ri, i cili nuk ishte në detyrë në kohën e sulmit, si dhe motra e tij. I dyshuari thuhet të ketë shtënë edhe ndaj fëmijëve.

Dhjetë persona u pranuan në spitalin e përgjithshëm në Smederevo, “Sveti Luka”, gjatë natës. Katër prej tyre vdiqën, ndërsa tre të tjerë u dërguan në Beograd. Tre u operuan dhe janë në gjendje stabile.

Të vrarët e të plagosurit, të rinj

Mediet serbe raportojnë se dhjetë persona të plagosur u pranuan gjatë natës në spitalin e përgjithshëm në Smederevo, prej të cilëve katër vdiqën nga plagët e sulmit me armë. Viktima më e re ishte vetëm 14-vjeçare.

Të gjithë të vrarët dhe të plagosurit e sulmit ishin mes moshave 14 dhe 23-vjeçare. Sipas drejtorit të spitalit, dy pacientë janë dërguar në spitalin “Dragisha Mishoviq” në Beograd, raporton mediumi “Novosti”.

Pacientët e tjerë që janë operuar kishin plagë kryesisht në gjymtyrë dhe në bark dhe, sipas drejtorit të spitalit, ata tash për tash janë në gjendje stabile.

Uros B., 21 vjeç, dyshohet të ketë vrarë tetë persona dhe të ketë plagosur 13 të tjerë mbrëmë në fshatin Dubona, afër Mladenovacit. Ai sulmoi me një pushkë automatike dhe një pistoletë.

Fillimisht, ai doli nga një veturë dhe qëlloi në drejtim të një grupi njerësizh që ishin ulur përreth një zjarri pikniku, pastaj vazhdoi të sulmonte njerëz të tjerë.

Thuhet se ai është arrestuar afër qytetit Kragujecac.

Lajme të ngjashme